Eu Observer: E ardhmja e Kosovës në rrezik, shkak Gjykata Speciale

schedule17:23 - 5 Janar, 2018

schedule 17:23 - 5 Janar, 2018

Në një shkrim të “EU Observer”, media e pavarur që mbulon zhvillimet brenda Bashkimit Evropian, thuhet se e ardhmja e Kosovës është në rrezik për shkak të Gjykatës Speciale. Aty përmendet që presidenti Thaçi dhe vëllai i kryeministrit Haradinaj janë ndër të dyshuarit e parë.

Vendet kryesuese të BE dhe SHBA paralajmërojnë Kosovën për “pasoja të rënda” në qoftë se shfuqizohet ligji për Gjykatën Speciale. Eu Observer, një media e pavarur që mbulon zhvillimet brenda Bashkimit Europian, kujton dhe njëherë paralajmërimin e vendeve të Quintit, Francë, Gjermani, Itali, Britani e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku u bëhet thirrje liderëve të Kosovës që të mos pengojnë nisjen e punës së Gjykatës Speciale në vend. Kjo sepse në këtë mënyrë do të rrezikohej seriozisht integrimi ndërkombëtar dhe Euroatlantik i Kosovës.

BE krijoi Institucionin Gjyqësor Specialist të Kosovës për të hetuar akuzat, sipas të cilave anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë të përfshirë në marrjen dhe shitjen e organeve të të burgosurve serbë gjatë luftës së Serbisë me Kosovën në 1998 dhe 1999. Institucioni nisi punën në fillim të vitit 2017 dhe së shpejti do të bëjë publike paditë e para.

Partia kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u përpoq të shfuqizojë ligjin në dhjetor, ligj i miratuar në 2015-n sipas të cilit Kosova duhet të bashkëpunojë me gjykatën.

Megjithëse nuk u mblodhën votat e duhura BE dhe SHBA frikësohen se AAK do të rinovojë iniciativën në janar.

EU Observer citon dhe vëllain e kryeministrit Haradinaj, Daut HAradinaj, i cili mund të jetë një nga të akuzuarit e parë. Ai është shprehur një javë më parë se arrestimi i parë me urdhër të Gjykatës Speciale do të aktivizonte ish luftëtarët e UÇK.

Dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu u bashkua me zërat që nuk e duan gjykatën speciale, duke falur në muajin dhjetor pesë të dënuar për vrasjen e familjes së një simpatizanti serb në vitin 2001. Daut Haradinaj dhe Thaçi, të dy ish komandantë të UÇK-së, pritet të përballen me akuzat e Gjykatës Speciale.

Mosmarrëveshja përsa i përket kësaj gjykate sipas Eu Observer, hap një front të tretë përballjeje mes Kosovës dhe BE.

Në dialogun e ndërmjetësuar nga BE mbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi u arrit marëveshja për krijimin e Asociacionit të ri të Komunave Serbe në veri të Kosovës për të qeverisur zonat e shumicës serbe, që në vitin 2015.

Por kryeministri Haradinaj tha se ishte kundër Asocacionit, njëkohësisht kreu i ekzekutivit kosovar nuk pranoi as ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi duke pretenduar se Kosova humb padrejtësisht 8 mijë hektarë tokë.

Lufta mes Kosovës dhe Serbisë shkaktoi 13.000 viktima, nga të cilët 12.000 ishin shqiptarë etnikë. Më shumë se 1.700 persona rezultojnë ende të zhdukur edhe 20 vjet pas përfundimit të luftës./abcnews.al