Ethja e Nilit Perëndimor, asnjë rast në Shqipëri

schedule15:34 - 17 Gusht, 2018

schedule 15:34 - 17 Gusht, 2018

Shqipëria nuk është prekur nga sëmundja virale, Ethja e Nilit Perëndimor. Konfirmimi vjen nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili u kujton qytetarëve se për këtë sëmundje nuk ka vaksinë tek njerëzit, por mënyra më e mirë për të parandaluar është shmangia e pickimit nga mushkonjat.

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se aktualisht nuk ka asnjë rast të sëmundjes virale Ethja e Nilit Perëndimor në Shqipëri. As në këta dy vitet e fundit nuk është identifikuar ndonjë rast bazuar në të gjitha testimet e kryera për të gjitha rastet e dyshuara.

Zyrtarisht thuhet se, që prej vitit 2011 në Shqipëri është vendosur survejanca për zbulimin e hershëm të Etheve të Nilit Perëndimor në të gjithë vendin dhe sidomos evidentimin e infeksioneve të sistemit nervor qendror të shkaktuar prej tij. Po ashtu, janë përforcuar kapacitet laboratorike të diagnozës përfshi këtu dhe atë molekulare të kësaj sëmundjeje pranë laboratorit të virologjisë në ISHP.

Ndërkaq, për Shqipërinë është kryer edhe një vlerësim risku ku janë përcaktuar zonat me risk më të lartë ku kemi një mbikqyrje dhe kontroll të përforcuar. ISHP këtë sezon në bashkëpunim me ECDC (Qendrën Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve) ka përcaktuar masat për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje. Ndër masat e marra përfshihen edhe:

– Survejancë e përforcuar tek kuajt dhe zogjtë;
– Bashkëpunim ndërkufitar për Plan të Kontrollit të mushkonjave për të ndërhyrë në rastet e shpërthimit të ndonjë epidemie dhe shkëmbim informacioni me vendet fqinje;
– Survejancë e përforcuar entomologjike;

Instituti i shëndetit publik kujton se për këtë sëmundje nuk ka vaksinë tek njerëzit, por mënyra më e mirë për të parandaluar infektimin nga virusi i Nilit Perëndimor si në Shqipëri dhe jashtë saj, është shmangia e pickimit nga mushkonjat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!