Ethet e qeverisë, kush ikën e kush vjen, në krye të Kuvendit mund të jetë një grua, dy kandidatet potenciale

schedule10:08 - 2 Shtator, 2021

schedule 10:08 - 2 Shtator, 2021

Vetëm pak minuta para nisjes së asamblesë kombëtare të socialistëve në korridoret e Pallatit të Kongreseve po qarkullojnë edhe emrat e parë të supozuar për drejtimin e dikastereve të qeverisë në katër vitet e ardhshme.

Ajo që dihet deri tani me siguri është se Elisa Spiropali do të vijojë të drejtojë Ministrinë e Marrëdhënieve me Parlamentin ndërkohë që Taulant Balla i cili u përfol si kandidat i mundshëm për postin e kreut të Kuvendit do të mbajë të njëjtën detyrë, në krye të grupit parlamentar. Këto dy pozicione janë konfirmuar në detyrë nga vetë kryeministri Edi Rama.

Gazetarja Esiona Konimi raporton për ABC se deri më tani Olta Xhaçka është përfolur në krye të Ministrisë së Jashtme, të cilën e mori në drejtim në muajt te fundit të qeverisë “Rama 3”.

Benet Beci është një kandidaturë e mundshme për drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës ndërkohë që kjo qeveri pritet të ketë risi një politikane nga Kosova, Vlora Çitaku.

Drejtimin e Kuvendit kryeministri Edi Rama mund t’ia besojë një gruaje, dhe emrat e përfolur për këtë post janë Lindita Nikolla dhe Mimi Kodheli. Kjo e fundit e cila u largua nga kuvendi me një fjalim lamtumire, pritet të rikthehet sërish si deputete në ulësen e lënë bosh nga Najada Çomo pasi ajo vendosi të dorëhiqej.

I pranishëm në asamble është ish-deputeti Ditmir Bushati i cilësuar si zë kritik ndaj kryeministrit Edi Rama, por edhe Pandeli Majko i cili ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve pak sekonda para nisjes së fjalimit të kryesocialistit.

Ndërkohë në rang drejtuesish për çdo qark, Shkodra, Fier, Kukësi, Dibra dhe Durrësi vijojnë të jenë me pikëpyetje ndërkohë mbeten të konfirmuar në postet e tyre Taulant Balla në Elbasan, Niko Peleshi në Korçë, Bledi Çuçi në Gjirokastër, Damian Giknuri në Vlorë, Blendi Klosi në Berat, dhe Erion Veliaj në Tiranë. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!