Amerika Latine dhe Karaibet pritet të shënojnë sezonin më të keq të regjistruar të etheve të dengut këtë vit, pasi ngrohja globale dhe fenomeni El Niño favorizojnë epideminë, paralajmëroi të enjten Organizata Shëndetësore Panamerikane (PAHO).
Në më pak se tre muaj në vitin 2024, autoritetet në këtë rajon kanë regjistruar tashmë më shumë se 3.5 milionë raste dhe rreth një mijë viktima nga sëmundja virale, e cila transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave që transmetojnë virusin.
Këto shifra shkaktojnë “shqetësim, pasi rastet janë tre herë më shumë se ato të regjistruara në të njëjtën kohë në vitin 2023, vit rekord me më shumë se 4.5 milionë raste”, theksoi gjatë një konference për shtyp Dr. Zarbas Barbosa, drejtor i PAOU, dega rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Sëmundja virale shkakton temperaturë të lartë dhe në raste më të rralla shkakton hemorragji.
Shumë e zakonshme në vendet me klimë të ngrohtë, sëmundja përhapet kryesisht në zonat urbane, ku çdo vit regjistrohen nga 100 deri në 400 milionë raste, sipas OBSH-së.
Rreth 4 miliardë njerëz, rreth gjysma e popullsisë së botës, jetojnë në zona ku janë në rrezik të infektimit, sipas shifrave nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Rritja e numrit të rasteve është shënuar në të gjitha vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve, por mbi të gjitha në tre shtetet e të ashtuquajturit kon jugor: Brazil (81%), Paraguaj (6%) dhe Argjentinë (3, 4%), ku u regjistruan 92% e rasteve totale dhe 87% e vdekjeve.
/abcnews.al