Estonia në zgjedhje, partitë tradicionale përballë populistëve

schedule14:47 - 3 Mars, 2019

schedule 14:47 - 3 Mars, 2019

Në Estoni po mbahen këtë të diel zgjedhjet e përgjithshme, ku partitë tradicionale, ajo e Qendrës dhe Reformatorët, përveç rivalitetit me njëra-tjetrën po përballen edhe me një valë të ashpër populiste, që ka kërkuar mbajtjen e një referendumi për qëndrimin në BE.

Qytetarët në Estoni po votojnë për zgjedhjet e përgjithshme, që shohin partitë tradicionale të sfiduara nga një valë e fortë populiste e ardhur nga zonat rurale të vendit. Kryeministri Juri Ratas, nga radhët e Partisë së Qendrës, aktualisht udhëheq Estoninë me një koalicion 4-anëtarësh. Sondazhet sugjerojnë një proces të vështirë, me Reformatorët që kanë fituar avantazh ndaj atyre të qendrës. Ndërkohë, euroskeptikët e Partisë Popullore të Estonisë, që kanë bërë thirrje për një referendum për qëndrimin në BE, renditen të tretët në sondazhe. Thuajse çereku i 881 mijë qytetarëve me të drejtë vote të vendit baltik kanë votuar në rrugë elektronike. Votimi nisi në 9, me orën lokale dhe përfundon në 20 të mbrëmjes. Estonia përdor një përfaqësim proporcional për të zgjedhur anëtarët e Parlamentit me 101 vende dhe rezultatet pritet të dalin në mesnatë. Kryeministri Ratas erdhi në pushtet në nëntor 2016 si kryetar i koalicionit të qendrës së majtë, pas rënies së qeverisë reformatore të Tavi Roivas. Ky i fundit i fitoi zgjedhjet në vitin 2015, duke u bërë kryeministri më i ri në moshë në Europë. Si Partia e Qendrës edhe Reformatorët mbështesin fuqishëm anëtarësimin në BE dhe NATO dhe kanë alternuar pushtetin që nga pavarësia e vendit nga Bashkimi Sovietik në vitin 1991. Dy partitë kryesore mbështesin gjithashtu masat anti-krizë, që e kanë lënë Estoninë me borxhin më të ulët në radhët e zonës Euro, por që kanë shkaktuar irritimin e komuniteteve rurale, që ndihen të lëna pas dore. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!