Babai i Ervis Martinajt, Mustafa Martinaj, u paraqit për herë të parë në Gjykatën e Posaçme, këtë hënë 30 mars, në kuadër të procesit për konfiskimin e pasurive të djalit të tij, i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022. Seanca vjen në një kohë kur hetimet për fatin e Martinajt mbeten të hapura dhe pa një përfundim zyrtar.
E ftuar në “Tirana Live” në ABC News, gazetarja Etleva Delia u shpreh se familja duket të ketë informacion të vazhdueshëm mbi çështjen, duke theksuar se interesimi i tyre ka qenë i vazhdueshëm pranë policisë dhe prokurorisë së Lezhës. Sipas saj, me kalimin e kohës, pistat fillestare për një inskenim apo rrëmbim janë zbehur, ndërsa hetimet janë fokusuar tashmë në dyshimet për vrasje.
Delia nënvizoi gjithashtu se Ervis Martinaj kishte qenë pjesë e dosjes “Plumbi i Artë” dhe ishte i vetëdijshëm për rrezikun ndaj jetës së tij, sidomos në një periudhë kur persona të afërt me të po eliminoheshin. Gjurmët e fundit të tij janë regjistruar në Durrës, ndërsa prej atij momenti nuk ka pasur më asnjë informacion mbi vendndodhjen apo fatin e tij.
“Është një gjë që familja duket se e di. Ata vazhdimisht janë interesuar në polici dhe në prokurorinë e Lezhës, nuk është marrë nga SPAK. Ervis Martinaj ka qenë pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”. Sa më shumë muaj kalojnë, në gusht bëhen 4 vite nga zhdukja e Ervis Martinaj, pista e inskenimit apo rrëmbimit kanë rënë dhe tashmë po hetohet për vrasjen. Kanë dalë lloj-lloj hipotezash.
Në rast se do ishte inskenim, do të kishte edhe një provë, grupet kriminale do ishin bërë bashkë. Martinaj ishte i vetëdijshëm që po shqyrtohej një plan për vrasjen e tij, edhe për faktin se po i eliminoheshin njëri pas tjetrit, njerëzi e afërt. Ai filloi që të krijonte plane për kundërshtarët, por nuk funksionuan. Gjurmët e fundit të Ervis Martinajt kanë qenë në Durrës, pas këtij momenti nuk ka pasur asnjë gjurmë më të tij”, tha Delia.


