Neymar po merr përdore skuadrën e PSG-së këtë sezon, me brazilianin që është shndërruar në lojtarin kyç të kampionëve të Ligue 1.
Në 9 ndeshje të luajtura këtë sezon, ish-sulmuesi i Barcelonës ka arritur të shënojë 10 gola duke qenë një nga protagonistët kryesorë në rezultatet pozitive që parizienët kanë koleksionuar, ndërsa ka asistuar në 7 raste për shokët e ekipit.
Do të ishte pikërisht Neymar që do i jepte fitoren PSG në përballjen e të shtunës ndaj Brest, pasi goli i tij ishte vendimtar në këtë takim.
Menjëherë pas kësaj ndeshje Christophe Galtier i ka thurur elozhe brazilianit, teksa nuk ka nguruar ta quajë si një nga lojtarët më të mirë në planet.
“Unë gjithmonë e kam konsideruar atë si një nga lojtarët më të mirë në planet, por kam një sy shumë më të informuar dhe më të mprehtë për angazhimin e tij të përditshëm.
Këtë e shoh para, gjatë dhe pas seancave stërvitore. Ai është shumë i investuar në nivel personal, por edhe në interes të ekipit. Ai është një profesionist dhe lojtar i madh, unë e zbuloj atë me kënaqësi çdo ditë”, ka theksuar tekniku i PSG-së.
Galtier shpreson që Neymar të mund ta ruajë këtë ritëm edhe kur skuadra e tij do të përballet me Maçabi Haifa në Ligën e Kampionëve, të mërkurën. /f.a/abcnews.al