Esat Mala ka nënshkruar kontratën e re me Partizanin. Mesfushori e kishte gjetur akordin prej kohësh dhe ishte në pritje të ndonjë opsioni nga jashtë. Duke parë mungesën e propozimeve interesante nga jashtë, ai ka vendosur në fund që të mbajë fjalën dhe të firmosë me të kuqtë.
Sipas asaj që shkruan “Panorama Sport”, kontrata e Malës është “1+1”, ndërkohë që do të përfitojë 3 mijë euro në muaj. Pesëfishim page nga marrëveshja e parë, kurse klauzola e largimit e vendosur në kontratë është 200 mijë euro.
TEUTA – Në Durrës një ditë më parë është zyrtarizuar largimi i Kenan Hreljic. Afrimi i Denis Pjeshkës ishte një sinjal për ndonjë largim të mundshëm. Te Teuta gjithsesi merkato në hyrje nuk është mbyllur.
Nën urdhrat e trajnerit Edi Martini janë vënë edhe dy lojtarë të rinj. Njëri është shkodrani Brendon Smajli, të cilin te Vllaznia nuk e kanë në plane. Sezonin e shkuar ishte i huazuar te Veleçiku dhe në të ardhshmin pritet të jetë një alternativë për Teutën në linjën e majtë.
Durrsakët duan një fantazist dhe Ledjon Xhymerti prej ditësh po stërvitet me “Djemtë e Detit”. Mesfushori ka spikatur vjet në Kategorinë e Parë me Ilirisë, duke shënuar 7 gola. 20-vjeçari është pranë firmës me Teutën. /abcnews.al