Esat Mala dhe Partizani kanë arritur një akord për të bashkëpunuar edhe për sezonin e ardhshëm. Ende nuk ka firmë mbi kontratë, por palët kanë vullnetin e mirë dhe së shpejti mund të vijë edhe zyrtarizimi i rinovimit të kontratës.
Ditën e djeshme mesfushori ka zbritur në fushën e blertë dhe është vënë nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja, çka konfirmon edhe shanset e mëdha për rinovimin e marrëveshjes edhe për një vit. Qëndrimi i Malës do të ishte një lajm i mirë për Partizanin, pasi për momentin edhe merkato është e bllokuar.
AFRIMI NGA KOSOVA – “Demat e kuq” vijojnë të shohin për elementë të rinj dhe këtë herë kanë zbarkuar në Kosovë, aty ku kanë piketuar një sulmues anësor të 2 Korrikut.
Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Adonis Aliu, i cili është edhe pjesë e përfaqësueseve të moshave të Kosovës. Vetë presidenti i klubit dardan ka konfirmuar marrëveshjen me Partizanin dhe zyrtarizimi do të vijë direkt pas zhbllokimit të merkatos së të kuqve. /abcnews.al