Një tjetër klub i Kategorisë së Parë ka mbetur pa trajner. Erzeni dhe Vladimir Gjoni kanë mbyllur bashkëpunimin mes tyre dhe drejtuesit e klubit shijakas duhet të gjejnë një tjetër trajner. Kjo situatë përsëritet për të dytën herë brenda këtij sezoni, pasi më parë është larguar Gentjan Begeja.
Gjoni, i kontaktuar nga ABC News, ka konfirmuar largimin e tij nga Erzeni dhe zbulon se e gjitha kjo ka ardhur në mënyrë të befasishme dhe nuk ka marrë asnjë sqarim për këtë vendim.
“Nuk më kanë dhënë arsye për largimin. Janë punët e brendshme të klubit. Kam ngelur i habitur jashtë mase. Gjithsesi, puna ime dhe pasioni nuk kanë munguar dhe nuk do mungojnë kurrë, në çdo ekip që të jem”, ka thënë Gjoni shkurtimisht.
ABC News ndërkohë mëson edhe kandidaturën kryesore për të pasuar Gjonin në krye të Erzenit. I zakonshmi Stavri Nica është në pole. Durrsaku është larguar para pak kohësh nga drejtimi i Devollit dhe në Shijak po mendojnë t’ia besojnë atij pankinën. Shumë shpejt do të qartësohet gjithçka dhe do të mësohet edhe trajneri i ri i Erzenit. /abcnews.al