Ervin Bushati: Vendim pozitiv për negociatat, Merkel po investon

schedule20:16 - 14 Tetor, 2019

schedule 20:16 - 14 Tetor, 2019

Ervin Bushati  deputet i Partisë Socialiste ka qenë i ftuari i Mbrëmje ABC me gazetaren Mirela Milori mbrëmjen e sotme. Bushati u shpreh se Gjermania e kancelarja Merkel ka investuar shumë që Shqipërisë dhe Republikës se Maqedonisë së Veriut ti hapen negociatat. Deputeti shprehu opinionin e tij, edhe në lidhje me raportin e Komisionit të Venecias, ku sipas Bushatit ky raport është shprehur qartësisht, se presidenti Meta ka shkelur kushtetutën me gjestin e anulimit të zgjedhjeve më 8 qershor.

“Komisioni evropian ka dy vjet që i qëndron mendimit që Shqipërisë dhe Maqedonisë duhet ti hapen negociata por në mes tyre qëndrojnë edhe vendet skeptike ndaj Shqipërisë. Unë them se Shqipërisë do ti hapen negociatat. Angazhimi i kancelares Merkel është maksimal në lidhje me këtë, sepse ka investuar shumë për këtë çështje, e në fund është diskutimi Merkel – Macron që do të thotë fjalën e fundit. Në bazë të logjikës time investimi i gjermanisë për të patur Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tavolinën e bisedimeve, do të thotë që vendimi do të jetë në favorin tonë. Binomi Franko-Gjerman është një binom vendimmarrës dhe unë mendoj se do të ketë  një vendim pozitiv”, tha Bushati.

I pyetur nga gazetarja Mirela Milori në lidhje me raportin e Komisionit të Venecias për shkarkimin e presidentit Ilir Meta Bushati tha:

“Disa pika në raport janë shumë të qarta. Ilir Meta ka shkelur kushtetutën. Ne do të marrim vendimin e komisionit të juristëve tanë që do të ngrihet mbi raportin e Komisionit të Venecias do të dorëzojmë dosjen dhe në fund do të shprehet Gjykata Kushtetuese, nëse kushtetuesja e rrëzon është në të drejtën e saj. Ky raporti i Komisionin të Venecias do të vlente shumë për presidentin, ky raport duhet të ishte kërkuar nga presidenti para datës 8 qershor, nëse presidenti do të ishte serioz duhet ti ishte drejtuar Komisionit të Venecias“, deklaroi ai.

Ndërsa në lidhje me protestën e unazës së re, qëndrimin e PS për këtë çështje Bushati e ka të qartë.

“Qeverisje do të thotë të bësh zgjedhje, pra të vendosësh në favor të shumicës. 98 % e qytetarëve janë për bërjen e unazës së madhe. Kjo protestë është politizuar, gjithsesi të gjithë pronarët kanë të drejtë të dëmshpërblen në vlerën e tregut për pronat e tyre. Zgjidhjet janë të shumta dhe me sa di bashkia ka ofruar edhe banesa sociale ja u ka dhënë zgjidhjen”, u shpreh Bushati./abcnews.al