Erozioni “përpin” tokat bujqësore në Qarkun e Gjirokastrës

schedule16:54 - 22 Maj, 2022

schedule 16:54 - 22 Maj, 2022

Nga Elidon Berberi

Kjo tokë bujqësore pranë lumit “Drino” në Gjirokastër është në pronësi të Pano Mukës.  Erozioni çdo vit po i përpin tokën.

“Ka disa  vjet që atë po e gërryen lumi dhe e zvogëlon nga viti në vit’, thotë ai.

Thotë se deri tani mund të ketë humbur rreth 2 mijë metër katror. Muka është ankuar tek disa institucione po deri tani nuk ka marrë zgjidhje.

“E kam bërë problem në të gjitha institucionet përkatëse nga bordit në Gjirokastër, bordit të ujërave në Vlorë. Na kanë dhënë përgjigje se do planifikohet të sistemohet dhe krahu perëndimor i lumit Drin. Dëmi është I pakorrigjueshëm. Po presim nga shteti”, shton Muka.

Që të mbjellat mos i përmbyten tokën e ka lënë djerrë. Sipas tij mund të ndërhyje pa u shpenzuar shumë para që të mos rrezikohen tokat apo dhe shtyllat e tensionit, një prej të cilave disa vite më parë u rrëzua.

“Kjo zgjidhet kollaj pa planifikuar fonde të mëdha. Me ekskavatorët që ju janë dhënë bashkive, sikur të gërmonin dhe të hapnin anë tjetër, që është e bonifikuar, lumit mund ti japin drejtim. Mund ta rregullonin. Po deri tani se vë njëri ujin në zjarr. Ndërhyjnë vetëm kur ndodhin situata të tilla siç u rrëzua shtylla e tensionit të lartë apo siç kanë ikur shtylla të tjera betoni dhe kur të bëhet ndonjë dëm me jetë njeriu.

Specialisti i bujqësisë, Balili Bineri në një intervistë për ABC thotë se këtë shqetësim nuk e ka vetëm Pano, por dhe dhjetëra fermerë të tjerë.

“Kërcënimi kryesor janë lumenjtë, kërcënon Vjosa tokat bujqësore dhe Drino që disa pika të Gjirokastrës që janë të evidentuara. Ka toka bujqësore që janë zhavorruar, siç është pjesa e Mashkullorës. Fermerët janë ankuar se kanë humbur tokën nëse humb toka, prodhimi nuk llogaritet fare” thotë Bineri.

Inxhinieri Niko Liçi i cili drejton Bordin e Kullimit në Gjirokastër sqaron se gërryerja e tokës bujqësore është një fenomen shumë I përhapur në Qarkun e Gjirokastrës. Thekson se për mungesë fondesh janë bërë pak ndërhyrje.

‘Kemi rreth 10 objekte që kanë probleme që duhen marrë masa inxhinerike për të bërë mbrojtjen e tyre. Një pjesë e kemi në Vrisara, që këmi investuar, por ka ende një pjesë që duhet ndërhyrë. Kemi në zonën Dropullit të poshtëm, në Mashkullorë dhe Kardhiq. Sipërfaqja është e vështirë se kemi dhe në zonën e Përmetit. Kërkon vëmendje se dhe vlerat e ndërhyrjeve janë të mëdha nga 2 deri 3 milionë euro”, thotë Liçi.

Liçi thotë se dhe bashkitë duhet të kërkojë ndihmë nga qeveria.

“Organet e  qeverisë vendore s’janë të përjashtuara nga kjo. Duhet të ngrenë problemin pranë ministrisë, që të jetë lufta e dyanshme. Si nga ne që merremi direkt por dhe nga ata, se është në pronën e tyre, se fermerët janë nën administrimin e pushtetit vendor. Ndaj duhet ta ngrenë shqetësimin”, tha ai.

Sipas studimeve sipërfaqja e tokës bujqësore për frymë në Shqipërinë më e ulëta në Europë.

Që sipërfaqja e tokave të mos reduktohet edhe më shumë institucionet qendrore dhe lokale duhet të marrin masa të menjëhershme./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!