Superliga shqiptare ka nisur pa cilësi, ndërsa skuadrat janë peng i drejtimit të gabuar nga presidentët. Trajneri Ernest Gjoka flet për ABC Neës, dhe veçon një ekip që e shikon favorit për titull.
Ka nisur e ashpër jo vetëm në shkallët e stadiumeve.
Superliga shqiptare është duke u treguar e tillë edhe në fushën e lojës, të paktën në këto 3 javë të sezonit.
Ky është mendimi i Ernest Gjokës, trajnerit që fitoi titullin me Kukësin dy sezone më parë, dhe që sheh këta pretendentë, ndërsa flet për ABC Neës.
“Ka filluar i zjarrtë. Është normale, është në mentalitetin e futbollit tonë. Të gjithë kampionatet kur fillojnë, fillojnë shumë të forta, ndeshjet janë shumë të egra, nuk kanë shumë bukuri. Si gjithmonë, skuadrat elitare janë siç është Kukësi, Flamurtari, Partizani, por sigurisht shoh një Teutë ndryshe dhe një Skëndërbe ndryshe pavarësisht nga rrjedhjet. Por mendoj që Skënderbeu e ka vëmendjen nga vendimi që do pritet në KAS që të shikohet si do të jetë vazhdimësia”, tha Gjoka.
Në këtë grup pretendentësh, a mund të veçohet ndonjë skuadër si më e favorizuar?
“Unë shikoj që Flamurtari ka bërë ndërhyrje shumë. Ka një skuadër të re. Ka një trajner kampion dhe sigurisht ka një ego që ndoshta ky do jetë që pas pesë vitesh do rikthehen te trofeu”, u shpreh Gjoka.
Pas vetëm 3 javësh, erdhi shkarkimi i parë i një trajneri, ai i Bledar Devollit nga Kamza.
“Në qoftë se ti nuk ke pas besim te një trajner që në krye të herës pse e merr dhe e heq në javën e tretë. Ti e merr dhe ndërto një skuadër të mirë dhe pastaj nuk ke besim te trajneri. Një president me vizion duhet të kuptojë që duhet të marrë një trajner dhe ky trajner të ketë gjithë stafin e tij dhe ky është një problem tjetër i futbollit shqiptar sepse shumë ekipe nuk e kanë stafin e tij, por kanë gjetur një staf me mik”, tha Gjoka.
Gjithsesi, çoroditja e klubeve duket edhe tek ndryshimet e mëdha të lojtarëve çdo vit.
Kjo ndikon për mirë apo për keq?
“Sigurisht që ndikon për keq. Një skuadër që të ketë rrugën drejt suksesit do të ketë stabilitet. Pasqyrë më të mirë se Skëndërbeu këto 7 vite nuk kemi. Por ne kemi mentalitetin që duam shumë shpejt të marrim maksimumin”, shprehet Gjoka.
Vetë Gjoka është në pritje për të gjetur ekipin e ri që të vazhdojë karrierën, ndërsa është në bisedime me klube në Shqipëri, Kosovë dhe shtete të tjera./abcnews.al