E ftuar mbrëmjen e sotme në Mbrëmje ABC me gazetaren Mirela Milori ka qenë e ftuar Ermonela Felaj, deputete e Partisë Socialiste. E pyetur nga gazetarja Mirela Milori se nëse Partia Socialiste mban një përgjegjësi morale për personat brenda Partisë Socialiste me funksione të rëndësishme, që rezultojnë në shkelje të ligjit, Felaj tha se PS nuk mban asnjë përgjegjësi për ata persona që janë në shkelje të ligjit. Pasi përgjegjësia, sipas Felaj, është individuale dhe nuk ka se si të implikojë Partinë Socialiste. Gjithashtu Felaj tha se kushdo që ka shkelur ligjin, qoftë ky edhe Agim Kajmaku apo kushdo tjetër do ti nënshtrohet përgjegjësisë penale pa asnjë kufizim.
“Për të gjitha pyetjet që formulari përmban, kushdo është i detyruar të deklarojë të vërtetën, dhe me saktësi të plotë. Në rast se të dhënat që pasqyrohen në formular, nuk përkojnë me të vërtetën, kjo përbën shkak për përgjegjësi penale për falsifikim të formularëve. Në rast se personi nuk ka deklaruar qe ka ndryshuar emrin, përbën përgjegjësi. Përgjegjësia penale është personale, dhe nuk është kolektive, si e tillë ajo nuk ka se si të implikojë të gjithë Partinë Socialiste”, tha Felaj.
Mirela Milori: Ka një përgjegjësi morale që ju duhet ta keni si parti politike sepse keni ish ministra të dënuar për shpërdorim detyre, keni dy kryetarë bashkish që do tju largohen në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, si mendoni?
Ermonela Felaj: Çdo njëri që ju përmendët nuk është më në asnjë lloj funksioni në partinë socialiste. Mundësia jonë për të verifikuar është e limituar, sepse të bësh kërkime të tilla duhet të vihesh në kontakt me organe ligjzbatuese dhe natyrisht partitë politike nuk kanë të njëjtin status, nuk mundet të bashkëveprojnë me një institucion publik apo ligjzbatues. Janë institucionet ato që në rastin konkret është prokuroria e përgjithshme e cila siç ka vepruar në këtë rast apo për raste të tjera në vijim i duhet të bëj kërkimet në vendin përkatës.
Mirela Milori: Nëse gjendet në shkelje Zoti Kajmaku, ju si mendoni do të penalizohen dhe të shkojë në burg për këtë që kanë bërë apo duhet të kthehen në bizneset e tyre private?
Ermonela Felaj: Nëse kanë bërë shkelje i penalizon ligji dhe do ti nënshtrohen përgjegjësisë pa asnjë kufizim si kushdo tjetër./abcnews.al