Ermal Barushi lë arbitrimin, falënderime dhe “thumbime me kode”

schedule13:44 - 25 Dhjetor, 2019

schedule 13:44 - 25 Dhjetor, 2019

Dita e Krishtlindjeve. Një arbitër që ka mbajtur stemën e FIFA-s do t’i mungojë fushave të Superiores dhe të Kategorisë së Parë. Ermal Barushi ka vendosur të ndalet. Sigurisht ka shumë për të thënë, pasi eksperienca e tij në futbollin tonë ka qenë një rrugëtim i gjatë, me probleme e emocione. Ka edhe mesazhe të koduara, sikurse edhe është i qartë se ky është momenti i duhur për ta mbyllur. Dëshira e tij është vetëm një: të mos kenë vendosur të tjerë që ai të mos e rimerrte sërish stemën e FIFA-s. Falënderime dhe arbitra të veçuar, Barushi i thotë të gjitha në postimin e bërë në llogarinë e tij në “Facebook”.

POSTIMI I BARUSHIT – Gjithçka ka kohën e vet. 24 /12/2019, dita ime e fundit si arbitër, gjithashtu dhe e fundit ditë që mund të mbaj uniformën e arbitrimit pranë Kolegjiumit Luan Zylfo”, Tiranë. Pak shpejt, por mbase më mirë kështu. Është e pamundur të shpreh me pak fjalë atë që ndjej dhe atë që kam përfaqësuar.

Di të them vetëm që dashuria dhe pasioni im për arbitrimin nuk mbaron. Kjo është arsyeja pse informova zyrtarisht Presidentin e Shoqatës, Kryetarët e Komisioneve dhe Federatën Shqiptare të Futbollit për tërheqjen. Ka qenë një vendim i vështirë, por jam i bindur se është ai i duhuri.

Megjithëse në vitin e fundit ka qenë dëshira shumë e madhe për t’u kthyer dhe njëherë në nivele të larta ndërkombëtare, jam munduar të plotësoj dhe të zotëroj të gjithë parametrat profesional të kërkuar, por kjo nuk paska qenë e mjaftueshme.

Shpresoj të mos kenë ndikuar faktorë të tjerë jashtë familjes tonë të Arbitrimit, që jo pak herë ndikojnë në jetët tona profesionale! Është koha e duhur për të dëgjuar mendjen dhe për të pranuar që koha duhet të shpenzohet për diçka tjetër.

Ka qenë një udhëtim i gjatë, që nga dita ime e parë, gjë që më solli një ndryshim total në mënyrën e jetesës. Kam takuar shumë njerëz të mrekullueshëm në rrugën time, ku shumë prej tyre kanë kontribuar në një farë mënyre në zhvillimin tim profesional.

Petrit Qendro, profesor Kotherja,Pregja, Hoxha,Brahja, Zajmi etj, një respekt të veçante për zotin Velccani, dhe natyrisht zotin Allkja, që nuk është me midis nesh. Kolegët e rretheve, e ne veçanti ata që kam pasur nderin të arbitroj dhe që janë padyshim arbitrat më të mirë të këtyre njëzet viteve të fundit: Jemini, Janku, Jareci, Jorgji, Meta e Pashai.

Me ndjesë edhe njëherë Lorenc Jemini dhe Enea Jorgji, dy njerëz profesionistë, miq dhe familjarë të mirë, motivues në ditë të vështira. Në fund kolegët e mi të Kolegjiumit, të cilët përbëjnë padyshim ajkën e arbitrimit Shqiptar, numër i konsiderueshëm ku janë mbi 50% të arbitrave në të gjithë kategoritë, si dhe grupin e arbitrave të rinj, ku për një kohë të shkurtër dy-vjeccare u bë e mundur si asnjëherë më parë një prezencë e jashtëzakonshme.

Ju jam mirënjohës të gjithëve! Duke parë mbrapa, shoh se kam marrë pjesë në shume ndeshje zyrtare, nga të cilat në Superligë e në Kategoritë më të ulëta, në shumë Finale e Gjysmë finale Kupe. Për më tepër, kam pasur kënaqësinë të jem pjesë për shumë vite i grupit ndërkombëtar të Arbitrave të FIFA.

Ka pasur shumë përvoja emocionuese dhe të mira ndër vite, ku disa ndeshje janë më të qarta në kujtesë. Disa nga ndeshjet të cilat do t’i kujtoj përsëri me kënaqësi: debutimi ne Superligë, prezencën time të pare në arenën ndërkombëtare dhe padyshim derbin e parë të arbitruar, Tirana – Partizani. Do më mungojë patjetër gëzimi dhe lehtësimi mbas përfundimit të ndeshjeve, mbledhjet e grumbullimet, kjo ndjenje pozitive që më ka shoqëruar për shumë vite. Kjo ndjenjë padyshim që do të më mungojë, por rrugëtimi im nuk ndalet këtu.

Tani mezi pres të ndjek suksesin tuaj dhe të bëj një hap tjetër në ambientin sportiv. Në të njëjtën kohë, kam pasur fatin të kem një familje që më ka mbështetur 100% gjatë gjithë rrugëtimit dhe ka pranuar që kam pasur një hobi, ku ndonjëherë i kam rënë ndesh dhe interesave te tyre. Duke ju falënderuar, ju uroj Gëzuar Krishtlindjet, qoftë një vit sa më i mbarë për ju ! Faleminderit për përkrahjen! /abcnews.al