Erkand Qerimaj tërhiqet nga Europiani i shtangës, shkak dëmtimi

schedule12:06 - 28 Mars, 2018

schedule 12:06 - 28 Mars, 2018

Shqipëria humb një nga mundësitë kryesore për të fituar medalje në Europianin e peshëngritjes. Erkand Qerimaj tërhiqet për shkak dëmtimi, ndërsa në garë mbeten vetëm dy emra të rëndësishëm

Ishte një nga shpresat tona më të mëdha.

Erkand Qerimaj mund t’u jepte një kënaqësi tjetër tifozëve shqiptarë të Peshëngritjes, këto kohë skandalesh, por Europiani i Bukureshtit qëlloi i mallkuar për të.

Sportisti 30-vjeçar u tërhoq nga gara në peshën deri 77 kg, duke na hequr një nga mundësitë kryesore për të marrë medalje.

“Vendosa të tërhiqem sepse kam dëmtim në gju, – shkruajti ish-kampioni i Europës në rrjetet sociale, – nuk dua të dëmtohem më shumë, por dua të jem I gatshëm për garat e tjera”.

Konsulta me trajnerin Zef Kovaçi dhe një mjek italian ishte ajo që vendosi tërheqjen e tij nga konkurrimi në Rumani.

Një fatkeqësi për atë që mund të quhet peshëngritësi më i mirë shqiptar i të gjitha kohëve, i cili u shpall kampion i Europës në vitin 2014, dhe ishte medalist i bronztë vitin e kaluar në Europianin e zhvilluar në Kroaci.

Në mungesë të peshëngritëseve femra si Romela Begaj dhe Evangjeli Veli, që të dyja me probleme me dopingun, shanset e Shqipërisë për medalje janë zvogëluar shumë.

Mundësitë e vetme që të mos dalim pa gjë nga Bukureshti janë Daniel Godelli, që garon po në peshën deri 77 kg, dhe Briken Calja në peshën deri 69 kg.

Skandalet e fundit me dopingun bënë që Shqipërisë t’i hiqej organizimi pikërisht i këtij Europiani. /abcnews.al