TIRANË- Analisti Ergys Mertiri tha se zhvendosja e protestës së opozitës nga sheshi tek dyert e parlamentit tregon paaftësinë e Sali Berishës. Ai tha në ABC News se protesta e tij janë “paqësore nga halli” dhe tepër të dobëta.
“Konvertimi i revolucionit nga sheshi te dyert e parlamentit është thjesht një maskim i paaftësisë. Protesta e tij janë shumë më të dobëta dhe paqësore, jo nga qejfi, por nga halli. Ai detyrohet të bëjë një opozitë blegërimash duke bërtitur kot. Duke i maskuar blegërimat si revolucione. Berisha dhe Meta duken se janë të integruar me tepër një në parti, se sa aleatë”, theksoi ai.
Ai u pyet edhe për rastin e Fredi Belerit, kandidati i opozitës në zgjedhjet lokale të 2023 për Himarën, i cili u shfaq në fushatë me flamurin e Vorio-Epirit. Ky veprim për Mertirin është antikushtetuese dhe i dënueshëm.
“Flamuri i Vorio-Epirit, është simbol, i cili përfaqëson një politikë anti-shqiptare. Unë e shoh si antikushtetues dhe zotëria në fjalë nuk e di sa koshient ka qenë, por kjo është antikushtetuese dhe kjo duhet dënuar. Kjo është kundër interesave kombëtare. Nuk duhet të tolerojmë ide të tilla”, tha ai/ n.m. abcnews.al