Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i ka bërë thirrje Izraelit të lejojë kalimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës përmes Egjiptit. Turqia gjithashtu e përshkroi urdhrin ushtarak izraelit për evakuimin e veriut të Rripit të Gazës si “të papranueshëm”.
Erdogan tha se Turqia do të vazhdojë të dërgojë ndihma në Gaza në bashkëpunim me Egjiptin dhe se autoritetet turke po vazhdojnë kontaktet për të liruar pengjet dhe për të gjetur një zgjidhje për krizën.
Ministria e Jashtme e Turqisë tha se thirrja e Izraelit që banorët e Gazës të lëvizin në jug brenda 24 orëve përpara ofensivës së planifikuar tokësore ishte “plotësisht e papranueshme”, çnjerëzore dhe një shkelje e ligjit ndërkombëtar.
“Të detyrosh 2.5 milionë banorët e Gazës, të cilët janë nënshtruar bombardimeve pa kriter për ditë të tëra dhe të cilëve u është hequr energjia elektrike, uji dhe ushqimi të migrojnë në një zonë jashtëzakonisht të kufizuar është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar dhe nuk ka vend në njerëzimin. ”, tha Ministria e Jashtme e Turqisë.
“Ne presim që Izraeli ta ndryshojë menjëherë këtë gabim të rëndë dhe të ndalojë urgjentisht aktet e tij të pamëshirshme kundër civilëve në Gaza”, thuhet në deklaratë.
/abcnews.al