Erdogan: SHBA po përdor organizatat terroriste në Lindjen e Mesme për interesat e veta

schedule13:57 - 25 Tetor, 2024

schedule 13:57 - 25 Tetor, 2024

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po përdorin organizatat terroriste në Lindjen e Mesme për t’i siguruar Izraelit sigurinë.

“Është një fakt i njohur që SHBA përdor organizatat terroriste në rajon për interesat e veta, por edhe për sigurinë e Izraelit”, tha Erdogan në një fjalim para gazetarëve në avionin presidencial gjatë kthimit të tij nga Rusia pas Samitit të BRICS.

Ai shtoi gjithashtu se Turqia ka nisur një iniciativë brenda Kombeve të Bashkuara (OKB) për të vendosur një embargo gjithëpërfshirëse të armëve ndaj Izraelit, pasi sulmet e intensifikuara të Izraelit ndaj Gazës dhe Libanit vazhdojnë të marrin qindra jetë çdo ditë.

Erdogan theksoi se numri i vendeve që mbështesin apelin e Ankarasë zyrtare për embargo të furnizimit me armë Izraelit po rritet.

“Ne shpresojmë se do të kemi sukses në këtë si Aleancë e Njerëzimit dhe do të hapim derën e paqes së qëndrueshme”, shtoi ai.

Duke komentuar sulmin terrorist nga PKK (grupi militant kurd, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit) në selinë e Industrive të Hapësirës Ajrore Turke (TUSAS) në Ankara, i cili vrau pesë persona dhe plagosi 22, Erdogan tha se Turqia vazhdon të bëjë përpjekje për të “shkatërruar plotësisht terrorizmin”.

Informacionet tregojnë se sulmi terrorist ndaj kompanisë TUSAS është kryer pas infiltrimit të terroristëve nga Siria”, shtoi Erdogan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!