Fitorja e Erdogan në zgjedhjet e së dielës ka lënë sa të kënaqur, aq edhe të pakënaqur. Ndërsa turqit konservatorë janë ende në ekstazë për fitoren e tij, populli opozitar duket i trembur nga censura e regjimit të Erdogan dhe pushteti absolut që ai do të ketë në vitet në vazhdim.
Sa entuziastë, aq edhe të hutuar. Sa të lehtësuar, aq edhe skeptikë. Pas një tjetër fitoreje bindëse të Recep Tayip Erdogan, popullsia e Turqisë është sërish e ndarë në dysh. Por si u arrit deri këtu? Opozita e fragmentarizuar u bashkua për zgjedhjet parlamentare dhe dukej se do t’i mohonte presidentit mazhorancën. Lideri i saj, Muharrem Ince ishte njeri karizmatik dhe bënte turmën për vete. Sondazhet sugjeronin se ai do ta çonte në raundin e dytë betejën me Erdogan. Meral Aksener ishte një tjetër figurë e opozitës që thuhej se do t’ia hante votat presidentit dhe për herë të parë, pakica mund të ëndërronte për t’u bërë shumicë. Por nuk ndodhi kështu. Fitorja kronike e Erdgoan në zgjedhjet e radhës u provoi të kundërtën atyre që dyshonin tek ai. Kur numërimi i votave ishte pranë fundit, në zyrat e partisë së presidentit nisën festimet. Fishekzjarret shpërthyen, flamujt u ngritën dhe brohoritjet filluan. “Ai është gjithçka për ne. Ky vend nuk do të ekzistonte po të mos ishte ai”, tha një mbështetës për BBC. “Organizatat terroriste humbën. Populli turk fitoi. Myslimanët e vërtetë fituan”, ishte një tjetër koment. Por nga ana tjetër, pretendimet për manipulime janë të shumta. Gjatë numërimit, opozita akuzoi agjencinë shtetërore të lajmeve “Anadolu” se po publikonte rezultatet kur një pjesë e mirë e kutive nuk ishin hapur ende. Ndërsa media të tjera, të cilat kishin ironizuar zgjedhjet e mëparshme, ishin mbyllur ose u ishin shitur pronarëve të rinj. “Po jetojmë në një regjim fashist. Megjithatë, regjimet fashiste nuk fitonin me 53 për qind të votave, por me 90. Ndaj, ky është një progres i vogël që mund të rritet”, thotë deputeti i opozitës Selin Sajek Boke. Defektet janë vënë në dukje edhe nga OSBE një ditë pas procesit. Sipas organizatës, mohimi i lirive thelbësore pati një ndikim të fortë në këto zgjedhje. Gjithashtu, opozita nuk mundi të bënte fushatë në kushte të barabarta me forcat që mbështesnin zotin Erdgoan. Por për turqit konservatorë, kjo nuk ka shumë rëndësi. Për ta, mbyllja e Tëitter-it dhe burgosja e gazetarëve nuk përbën shqetësim. Të rëndësishme janë vetëm urat, aeroportet, shkollat dhe spitalet të ndërtuara nën drejtimin e Erdogan, të cilat kanë përmirësuar jetët e tyre. Por pavarësisht optimizmit, gjërat për Turqinë nuk janë aq “rozë”. Bumi ekonomik ka ngecur, inflacioni ka arritur në 12 për qind dhe lira turke që nga fillimi i vitit ka humbur thuajse një të pestë e vlerës së saj, duke shkaktuar pakënaqësi edhe tek vetë rrethi i ngushtë i presidentit. Por, sido që të jetë, ky është momenti i Erdoganit. Me kompetencat e reja të zhvatura kryeministrit, ai do të mund të emërojë ministrat, gjyqtarët dhe të bëhet lideri më i pushtetshëm i Turqisë që nga themelimi i saj nga Kemal Ataturku. Tani ai shpreson të udhëheqë vendin të paktën deri në vitin 2023. Dhe në këto kushte, opozitës së brengosur i mbetet vetëm të mblidhet sërish dhe të shqyrtojë se si dhe nëse ky lider mund të mposhtet. /abcnews.al