Erblira Bici drejt Evropës/ Volejbollistja shqiptare vazhdon sezonin në Itali

schedule12:54 - 1 Prill, 2025

schedule 12:54 - 1 Prill, 2025

Titullin nuk e fitojnë dot, por mund të sigurojnë kontinentin. Erblira Bici vazhdon sezonin në elitën e volejbollit italian, dhe mbetet protagoniste e madhe.

Ylli kryesor I kombëtares shqiptare shkëlqeu në fitoren e dytë dhe kualifikuese ndaj Bergamos, që ekipi I saj, Valefolia e fitoi me shifrat 3-2, pasi kishte triumfuar 3-0 jashtë fushe në duelin e parë.

Konkurrimi është për plej ofin që të kualifikon për në kupat europiane për sezonin e ardhshëm, saktësisht Çellënxh Kap.

Bici ishte sërish më e mira në parket për Valefolian me 25 pikë të shënuara, në sulm, bllok e shërbim, ndërsa pas saj ishte Li me 19 e Vajcel me 13 pikë.

Për mikeshat nga Lombardia, më e mira ishte Adriano po me 25 pikë.

Ndeshja në Pallatin e Sportit në Pezaro ishte shumë e fortë dhe zgjati dy orë e 32 minuta, me rezultatin e seteve 23-25, 25-20, 25-23, 21-25 e 15-9.

Bicit me shoqe I mjaftonte që të fitonin dy sete, gjë që e bënë me rezultatin 2-1.

Volejbollistja shqiptare ishte më e mira edhe në ndeshjen e parë, fituar 3-0 në Bergamo duke shënuar 20 pikë.

Tashmë, në 2 prill, Valefolia luan gjysmëfinalen e plej ofit në fushën e saj ndaj Pinerolos, dhe në rast fitoreje, do të luajë finalen për të shkuar në Europë, në terrenin e Kierit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!