Era e fortë rrëzon shtyllat e tensionit të lartë, dhjetëra fshatra në Korçë mbeten në errësirë

schedule11:17 - 28 Shkurt, 2022

schedule 11:17 - 28 Shkurt, 2022

Era e fortë që ka përfshirë juglindjen përgjatë ditëve të fundit ka sjellë rrëzimin e shtyllave të tensionit të lartë përgjatë aksit nacional Korçë-Bilisht. Për pasojë dhjetëra fshatra në 3 bashkitë Korçë, Maliq dhe Devoll kanë mbetur pa energji elektrike.

Pa energji kanë mbetu 30 fshatra në Maliq dhe 11 tjerë në zonat malore të Pogradecit. Burime zyrtare nga OST bëjnë me dije se në zonën mes Neviçishtit dhe Belortasë janë rrëzuar 13 shtylla.

Prej dy ditësh në terren për riparimin e këtyre defekteve janë duke punuar ekipe specialistësh nga OSHEE dhe OST nga Tirana, Elbasani dhe Korça. Por puna e tyre është bërë akoma më e vështirë për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të ulëta.

NJOFTIMI I OSSH

Prej mëngjesit të djeshëm vijon puna e brigadave të avarisë së OSSH Korçë dhe drejtorisë së TL Juglindje, për riparimin e avarisë në linjën 35Kv Korçë-Bilisht e cila furnizon me energji qytetin e Bilishtit dhe fshatrat përreth saj.

Shkak i avarisë kanë qenë dëmtimi i 13 shtyllave ku 6 prej tyre u thyen plotësisht ndërsa 7 të tjera pjesërisht.

OSSH ka angazhuar në terren 57 punonjës të saj, të cilët megjithë kushtet e vështira të motit, në një terren moçalor dhe me trashësi bore 30 cm po vijojnë punën për vendosjen e të gjitha shtyllave

Aktualisht janë vendosur 4 prej shtyllave të thyera ndërsa vijon puna dhe për ngritjen e 4 të tjerave, ku dy prej tyre janë shtylla ndërmjetëse. Ndërsa janë riparuar dhe 3 shtylla që u dëmtuan pjesërisht dhe vijon puna për 4 të tjera.

Në ndihmë të brigadës së TL Juglindje është dhe një grup pune e OST të cilët po punojnë intensivisht për rikthimin e energjisë sa më shpejt tek të gjithë abonentët.

/abcnews.al