Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledjon Krisafi, ka deklaruar se lëvizjet e SHBA-së në Amerikën Latine nuk lidhen me naftën apo narkoterorizmin, por me zbatimin e doktrinës amerikane për të parandaluar ndikimin e aktorëve të tjerë. Sipas Krisafit, qëllimi kryesor është rivendosja e hegemonisë amerikane në rajon. Ai shton se dokumentet e fundit tregojnë se SHBA synon të mbajë kontrollin mbi burimet strategjike të naftës, duke parandaluar përdorimin e tyre nga Rusia, Kina dhe vende të tjera.
“Ishte një kërcënim ose mund të kërcënonte sigurinë e SHBA-së, ndaj ishte një lëvizje e tyre. Nuk ka lidhje as me naftën, as me narkoterorizmin; ka të bëjë me doktrinën amerikane, sipas së cilës në Amerikën e Veriut dhe të Jugut nuk duhet të ketë ndikim nga të tjerët. Venezuela, nga marrëdhëniet me Rusinë, e kishte kundërshtuar këtë.
Në dokumentin e fundit ishte shkruar se SHBA do të rivendosë doktrinën Monroe, dhe kjo tregon mënyrën sesi zbatohet një doktrinë e tillë. Më pas vihet fokusi tek nafta, Venezuela ka burimet më të mëdha të naftës në botë, por nuk besohet se SHBA ka interes ta shfrytëzojë drejtpërdrejt; interesi i tyre është që nafta të mos përdoret nga Rusia, Kina ose vende të tjera. Qëllimi është rivendosja e hegemonisë amerikane.” / abcnews.al /


