Episodet e dyshimta, Zidane: Nuk flas për gjyqtarët, ne e merituam fitoren

schedule16:59 - 22 Qershor, 2020

schedule 16:59 - 22 Qershor, 2020

Real Madrid arriti një fitore shumë të rëndësishme mbrëmjen e djeshme, ku madrilenët kaluan me rezultatin 1-2 Real Sociedadin në transfertë. Tashmë të besuarit e Zinedine Zidane e shikojnë veten në krye të La Ligës, edhe pse me pikë të barabarta me Barcelonën (kryesojnë falë rezultateve në ndeshjet direkte). Përpos fitores tekniku i galaktikëve ka disa fjalë për gjyqtarët dhe incidentet e ndodhura gjatë takimit.

”Personalisht nuk i kam parë incidentet, por më thanë se faulli ndaj Vinicius ishte penallti. Edhe goli i Benzemas ishte i rregullt. Nuk dua të hyj në debate nëse ishte apo jo, pasi për këtë punë është caktuar gjyqtari i takimit”, deklaroi Zidane në konferencën pas ndeshjes.

”Unë dua të mendoj për ndeshjen në fushë dhe për dëshirën tonë për ta fituar takimin. Më vjen keq që flitet për arbitrimin pas ndeshjes, pasi nuk ka lidhje me ne. Ne fituam dhe kështu ndodhi. Thjesht e merituam”, mbylli tekniku francez. /abcnews.al