Epidemiologu: Masat e Shqipërisë për koronavirusin janë ekstreme, të marrim shembull Gjermaninë

schedule11:02 - 9 Maj, 2020

schedule 11:02 - 9 Maj, 2020

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti përmes një statusi në facebook ka analizuar disa të dhëna në lidhje me situatën epidemike në Shqipëri duke e krahasuar me atë cfarë ndodh në Itali dhe Gjermani.

Alimehmeti thotë se duhet të marrim shebull Gjermanisë, “si studentin më të mirë dhe jo Italinë, si studentin më të keq”, teksa  se masat duhej të ishin liruar që më herët dhe se ritmi mund të jetë shumë më i lartë.

Më tej Alimehmeti shkruan se Kruja dhe Kurbini nuk e kanë shtimin e rasteve për shkak të lirimit t ëmasave por për shkak se fasoneritë kanë qëndruar hapur dhe se lirimi i masave është krejtësisht i logjikshëm.  Alimehmeti tërheq vëmendjen se për qytetin e Krujës duhet patur më tepër kujdes.

Postimi i plotë:

“Masat po lirohen gradualisht!

Por, a po lirohen në kohën dhe me ritmin e duhur?

A bën kuptim që kemi zona të kuqe edhe pse kanë fare pak raste?

Sa është toleranca e sigurisë?

Këtë pyetje ma bëjnë shpesh miq, kolegë, familjarë, gazetarë por asnjë politikan.

Po ju paraqes përllogaritjen e bazuar mbi vendimin e Qeverisë së Gjermanisë dhe reflektimin në shifrat tona.

Pse zgjodha Gjermaninë?

Sepse kur nuk ke studiuar për provim, kopjon nga studenti më i mirë (Gjermania) dhe jo nga studenti më i keq (Italia).

Gjithashtu, Gjermani ka ecur më keq se Shqipëria për sa i përket COVID-19, me 90 vdekje për 1 milionë banorë në Gjermani, ndërkohë që në Shqipëri janë 11.

Kancelarja Merkel deklaroi se masat do të lirohen ndjeshëm duke përdorur si fren sigurie numrin e rasteve të reja 50 raste për 100.000 banorë në javë në një zonë të caktuar.

Dhe masat do të vendosen vetëm në këtë zonë!

Si përkthehet për Shqipërinë?

Aktualisht asnjë zonë, bashki apo qark i Shqipërisë nuk i ka 50 raste për 100.000 banorë, nëse bazohemi mbi rastet e deklaruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale për datat 2 deri 8 Maj 2020. Sa raste të reja në javë është toleranca maksimale për çdo qark? Konsultoni grafikun në fund.

Në nivel qarku:

Situatën “më të vështirë” e paraqet qarku i Durrësit që ka arritur 11.7% të tolerancës, por që në fakt kjo shifër është e rritur nga Kruja që ndodhet në këtë qark.

I dyti pason qarku i Tiranës, që përfshin edhe Kamzën, me 7.9% të tolerancës së përdorur.

Vijon qarku i Lezhës, ku ndodhet Kurbini, me 6.5% të tolerancës.

Në bisht mbeten Shkodra (5.0%), Fieri (2.8%), Kukësi (2.7%) dhe Elbasani (1.5%).

NË NIVEL QARKU, TË GJITHA QARQET DUHET TË JENË “ZONË E GJELBËR”!

Por kujdes, disa bashki janë më ndryshe dhe duhen analizuar më vete.

Në nivel Bashkie:

Bashkia e Krujës shfaq kuadrin më negativ, me 53.5% të tolerancës së arritur.

Në vend të dytë në barazim janë Kamza dhe Kurbini, me 17.3% të tolerancës së arritur.

Vijon Tirana me nivel tolerance 10.9%.

Në bisht mbeten Shkodra (5.0%), Kukësi (2.7%), Elbasani (1.5%) dhe Durrësi (1.1%).

NË NIVEL BASHKIE, TË GJITHA BASHKITË DUHET TË JENË “ZONË E GJELBËR”!

FLAMUR KUJDESI PËR BASHKINË E KRUJËS!

KUJTESË: Kruja dhe Kurbini nuk e kanë rritjen e rasteve për shkak të lirimit të masave por për shkak të mbajtjes hapur të industrisë fasone. Pra, lirimi i masave është krejtësisht i logjikshëm.

Përgjigja ndaj pyetjeve tuaja miq, bazuar mbi shifra janë:

Masat mund të ishin liruar që më herët, pra momenti i duhur është patjetër!

Ritmi mund të jetë shumë më i lartë!

(Gjermania ka në plan hapjen e shkollave dhe lejimin e aktiviteteve sportive, gjithashtu nuk e ka të ndaluar lëvizjen edhe pse ka nëntëfish më shumë vdekje se Shqipëria.)

Toleranca është shumë e lartë, mbi 10-fish të rasteve aktuale, me përjashtim të Krujës ku duhet patur kujdes.

Forca miq! Gjithçka po shkon mirë!

Dr. Shk. Ilir Alimehmeti

Epidemiolog Klinik

Fakulteti i Mjekësisë, UMT

Kujdes: Situata është dinamike dhe si e tillë duhet trajtuar“., shkruan mjeku./abcnews/al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!