Epidemiologu Fabian Cenko u shpreh se mbi bazën e të dhënave të deritanishme të fazës së parë dhe të dytë, vaksina kineze “Sinovac”, garanton më shumë benefite sesa rrisqe që do të ndodhnin nga vetë sëmundja por nga ana tjetër nuk ka të dhëna të mjaftueshme që ofrojnë siguri të plotë. Ai theksoi se vaksinat duhet të vlerësohen në bazë të të dhënave të raportuara, ndërsa shtoi se ajo kineze ende nuk ka marrë një certifikim nga OBSH.
“Ka informacione të pamjaftueshme për të thënë atë që kemi thënë për vaksinat e tjera. Në raport me këtë vaksinë, duhet thënë dy anë të ndryshme të medaljes. E para lidhet me faktin se përdorimi i kësaj vaksine konsiderohet si një produkt imunologjik, i cili me të dhënat e deritanishme garanton më shumë benefite se sa rrisqe që do të ndodhnin nga vetë sëmundja.”, tha epidemiologu.
Më tej, ai vuri theksin tek një tjetër element i rëndësishëm që ka të bëjë me efektivitetin e vaksinës lidhur me hospitalizimet. “Ajo që dua të them ishte pjesë e të dhënave që burojnë nga faza e parë dhe e dytë klinike, që janë bërë mbi numra të vegjël personash dhe kanë treguar se në këto numra siguria duket e mirë por dhe aftësia që vaksina të prodhojë antitrupa duket cilësore.
Ajo që faza e parë dhe e dytë klinike nuk garantojnë lidhet me grupmoshën mbi 60 vjeç, është parë që numri i personave që zhvillojnë antitrupa është e kënaqshme sidomos pas dozës së dytë, por vlerat e këtij rezultati janë të pamjaftueshme për ta thënë këtë në mënyrë të sigurt. Duhet të kuptojmë që më shumë sesa, ajo që ne dëgjojmë me efektivitetin e vaksinës ka të bëjë me aftësinë që ka që të të shmangë manifestimin klinik të saj.
Pra falë asaj vaksine mund të infektohesh dhe ta transmetosh por nuk do të përjetosh asnjë simptomë të sëmundjes. Ka dhe një element të dytë, dhe nëse një vaksinë e ka efektivitetin 70 apo 90 përqind, që tregon se 30 përqind e njerëzve të vaksinuar mund të zhvillojnë forma klinike të sëmundjes, kush është përqindja e tyre që shkojnë në spital apo humbin jetën? Kjo do të ishte elementi i dytë më i rëndësishëm.”, u shpreh epidemiologu.
Më tej Ornela Ademi, shkencëtare dhe drejtuese komiteti në “European Medicine Agency” në Holandë vuri theksin tek efektiviteti i vaksinave në shtrimin në spitale. “Katër vaksinat kanë efektivitetin që ndoshta nuk është 100 përqind, por përsa i përket hospitalizimit është afër 100 përqind.”, u shpreh ajo. /abcnews.al