Epërsia paraprake elektorale e mazhorancës prej hartës aktuale territoriale

schedule14:41 - 16 Janar, 2023

schedule 14:41 - 16 Janar, 2023

Nga Eduard Zaloshnja

Më 31 korrik 2014, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 115/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” (opozita e bojkotoi procesin e përgatitjes së atij ligji). Ndarja e re territoriale e ndau Shqipërinë në vetëm 61 njësi vendore, nga 373 që ekzistonin deri atëherë.

Në zgjedhjet e 2015-ës (të parat pas ndarjes së re territoriale) mazhoranca fitoi pothuaj në treçerekun e njësive të reja vendore (45 nga 61), edhe pse mori diçka më shumë se gjysmën e votes popullore në ato zgjedhje.

Zgjedhjet e 2019-ës opozita kryesore i bojkotoi dhe mazhoranca e majtë “fitoi” në të gjitha njësitë vendore.

Në zgjedhjet parlamentare të Prillit 2021, vota popullore në rang vendi u nda pothuaj përgjysëm mes partive mazhoritare (PS+PSD) dhe partive opozitare (PD, LSI, PDIU, PAA, PR, Vetëvendosje, etj. etj.). Sidoqoftë, falë hartës aktuale territoriale, ndarja e votës popullore në territoret e bashkive të ndryshme ishte goxha e ndryshme. Kështu, PS+PSD siguruan shumicën e votave të pjesëmarrësve në territoret e plot 42 bashkive, nga 61 bashki gjithsej – partitë opozitare siguruan shumicën vetëm në territoret e 19 bashkive (shihni tabelat shoqëruese).

Nga sondazhet që kam zhviluar deri më sot, më rezulton se mazhoranca e majtë (e përforcuar nga ish-degë lokale të LSI-së në Shkodër, Kurbin, Dibër e gjetkë) ka një epërsi prej të paktën 100 mijë vota në votën popullore kombëtare. Gjë që do të thotë se mund të kemi një tërmet të majtë më 14 maj ndër 61 bashkitë, në qoftë se nuk ndodh deri atëherë ndonjë tërmet i ndonjë lloji tjetër…

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!