Enver Petrovci në Beograd: Duhet me i tejkaluar gjërat

schedule17:30 - 31 Maj, 2019

schedule 17:30 - 31 Maj, 2019

Aktori nga Kosova Enver Petrovci merr pjesë në festivalin artistik në Beograd. Ai është shprehur se kultura ka një rol të rëndësishëm në afrimin e popujve. Ndërkohë, për aktorin që ka jetuar në Serbi deri në vitin 1994, dashamirësit serbë janë të shumtë.

Shqiptarët kanë qenë shpesh të ftuar në këtë qendër kulturore për të bërë shfaqje. Mysafiri kësaj radhe është i njohur për publikun. Aktori Enver Petrovci ka jetuar në kryeqytetin e Serbisë deri në vitin 1994. Dikur nuk i janë dashur festivalet për tu duartrokitur nga publiku. Fansat e Petrovcit nuk mungojnë në Beograd.

Por, tani ai udhëheq me pasardhësit nga Prishtina e Tirana në shfaqjen e tij që personifikon gjitha persijatjet e shumë popujve në Ballkan, heroizmat dhe tradhtitë. Petrovci thotë se kultura ka rol të vështirë, por obligativ për të afruar popujt dhe shkëmbimi bëhet për pasurim shpirtërorë dhe jo për tu mbushur me urrejtje.

“Edhe artisti e ka të vështirë me dhënë dashuri kur ka gjarpërinj, kur atmosfera është e gjatë, e keqe. Ti duhesh dita ditës me i harru dhe si një prift, si një i dërguar i Zotit me i pajtuar gjërat. Detyrë e ke, duhet me i tejkaluar gjërat për me pajtuar njerëz”, tha Enver Petrovci.

Por, sa e lehtë është kjo kur në qytetin e dikurshëm të tij tani Petrovci nuk ikën nga fansat, por shëtitet me mbrojtjen e policisë pavarësisht se dikur ky vend ka qenë shtëpia e tij. Petrovci thotë se është situatë absurd.

“Edhe me policët qesh, bëj shaka. Dje desha me shku në mes të demonstratës. Nuk më la policia. Ata e kanë sikur dikush i dërgon me kujtu një gjë të keqe”, tha Petrovci.

Dikur skena e Beogradit ka qenë e rëndësishme jo etëm për aktorët nga Kosova, por e tërë Jugosllavia. Kulturë më të ndryshme vëren aktori, por tani thotë se aktorët e rinj tregojnë sukses në çdo qendër dhe mund të shkojnë nga Prishtina në botë. Është krenarë për ta. Vetëm koha shëron plagët.

“Mendoj se do të jetë shumë më mirë. A është logjike? Mendoj se krejt Europa duhet të jetë një federatë sepse vetëm Greqia i ka pas 50 shtete, Italia 100 shtete, çdo qytet ka qenë shtet dhe ato po zmadhohen dhe tani ka ardhur faza të bashkohemi. Është interes për me u bashku”, tha aktori i njohur kosovar.

“Kreolët e Ballkanit” është shfaqja e Petrovcit, të cilën e ka shkruar shumë vite para luftës, por që në fakt parasheh ngjarje që më vonë kanë ndodhur. Në kushtet që shfaqja do të jepet në kryeqytetin serb parashikimi i së ardhmes duket se do të ketë ende shfaqje të vështira./ABC News Albania 24/7