Në emisionin “Real Story” në ABC News, historiani Pëllumb Xhufi ka folur për mënyrën se si trajtohet figura e Enver Hoxhës pas 40 vitesh nga vdekja e tij, duke theksuar se arkivat tashmë janë të hapura dhe mund të shërbejnë për një analizë më shkencore të periudhës komuniste.
Xhufi u shpreh se deri më tani, shkrimet për Hoxhën kanë qenë më shumë publicistike sesa historike, ndërsa theksoi rëndësinë e rolit të Partisë Komuniste në Luftën Nacionalçlirimtare dhe në ruajtjen e integritetit territorial të vendit pas Luftës së Dytë Botërore.
Ai gjithashtu bëri thirrje për një qasje më të balancuar ndaj figurave historike, duke kujtuar se “në jetën e tyre nuk ka figura plotësisht të pastra”.
“Jam dakord me atë që tha Marengleni, që janë bërë 40 vjet që nga vdekja ndërkohë janë hapur arkivat. Ndonëse arkivat hapen si të thuash me grada sipas rëndësisë, por mund të bëhet. Unë mendoj që, deri tani për Enver Hoxhën kanë shkruajtur, ka qenë si të thuash objekt i publicistikës se sa i shkencës.
Merret një dokument, ose edhe njerëz që kanë mësuar në atë kohë që padyshim kanë shprehur edhe ata ndjenjat përvojat me regjimin në përgjithësi apo me personin e Enver Hoxhës, por nuk mund të thuash që ashtu si Gjermania ka dënuar Hitlerin, Hitleri ka mbi shpatulla sa i thonë 35 milionë jetë njerëzish dhe popuj të huaj. Hitleri ka pushtuar vende të tjera, as që bëhet fjalë. Ti po flet me një person siç jam unë i cili për Mehdi Frashërin, që ka qenë anëtar i regjencës, pra u implikua keq, kam qenë unë që kam pranuar që t’i vihet një emër rruge në Tiranë, duke ditur personin e tij.
Në jetën e tij nuk kemi ne figura të pastra. Është edhe një cikël biologjik i njerëzve. Dhe Enver Hoxha është drejtues i Partisë Komuniste, e cila propagandoi, organizoi dhe drejtoi luftën kundër pushtuesit nazifashist që solli çlirimin e vendit, që solli shpëtimin e copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë, këto ju duhet t’i dini që edhe në 1946… Edhe në 1946 në Konferencën e Paqes së Parisit, u diskutua për t’i hequr “Vorio Epirin”, Shqipërinë e jugut dhe këtë kërkesë që paraqiti pala greke me ministrin e jashtëm e mbrojti edhe Britania e Madhe, ministrin i jashtëm Bevin”, tha Pëllumb Xhufi.

