Entuziazëm nga tifozët e Frankfurtit

schedule19:21 - 26 Qershor, 2019

schedule 19:21 - 26 Qershor, 2019

Tifozët e Frankfurtit e treguan veten si të jashtëzakonshëm, duke blerë të gjitha biletat për ndeshjet në kontinent. Ata nuk u shqetësuan as nga fakti se konkurrimi do të nisë në muajin Korrik.

Sezonin e kaluar ata u bënë lajm i madh i Ligës së Europës, ashtu si skuadra e tyre.

Tifozët e Eintrachtit të Frankfurtit shkëlqyen në numra dhe në mbështetje, ndërsa ekipi gjerman kaloi tur pas turi, derisa u ndal me vështirësi nga Chelsea (kampioni i ardhshëm) në gjysmëfinale.

Ky marshim i shkëlqyer i bëri entuziastë mbështetësit e tij të zjarrtë, që e treguan veten menjëherë. Revista gjermane “Kiker” njofton se për 3 orë u shitën 40 000 abone për sezonin e ri të Ligës së Europës.

Kjo, edhe pse ndeshjet e Frankfurtit nisin në 24 korrik, në turin e dytë eleminator, pra në mes të vapës. Tifozët nuk pyetën për këtë, as për faktin se këtë sezon Ajntrahtit do t’i duhet të kalojë nëpër turin e tretë dhe pastaj në plej of, që të kualifikohet për në grupe.

Kjo, për shkak të koeficientit të ulët, pavarësisht heroizimit të vjetshëm. Kundërshtari i parë do të jetë ose Flora e Talinit nga Estonia, ose Radniçi i Nishit nga Serbia.

Edicionin e kaluar, skuadra gjermane e nisi Ligën e Europës në fazën e grupeve, duke bërë një paraqitje të shkëlqyer, pasi zuri vendin e parë në grupin H me 12 pikë nga 12 të mundshme, pra duke i fituar të 6-të ndeshjet, edhe luajti ndaj Lacios, Marsejës dhe Apollonit të Limasolit.

Në raundin e dytë eleminoi bindshëm Shahtarin e Donjeckut, më pas Interin e Milanos dhe në çerekfinale kaloi me përmbysje Benfikën. Eintracht u ndalua në gjysmëfinale nga Chelsea, por vetëm pas gjuajtjes së penalltive, pasi të dyja ndeshjet përfunduan në barazim 1-1./ABC News Albania 24/7