Entuziazëm masiv në Argjentinë pas kualifikimit

schedule14:20 - 27 June, 2018

schedule14:20 - 27 June, 2018

Entuziazëm i jashtëzakonshëm në Argjentinë pas kualifikimit në Botëror. Tifozët dhe mediat lavdërojnë Messin dhe karakterin e ekipit, në fitoren ndaj Nigerisë.

Detyra u krye.

Lionel Messi dhe gjithë argjentinasit e tjerë, më në fund, u kthyen të qetë e të lumtur pas një ndeshjeje të Botërorit, të kualifikuar.

Grupet u kaluan dhe sfida rikthehet të shtunën me Francën, në të tetat e finaleve, por për momentin, mendohet vetëm për të mbledhur veten, por edhe për të festuar.

Tifozët e bënë këtë fare lirshëm, dhe është pikërisht kjo që kërkohej prej tyre.

Kombi i madh amerikanojugor ishte në prag të dëshpërimit, ndërsa tani është në qiellin e shtatë, me besim të plotë tek idhujt e tij, ashtu si edhe mediat.

Gazeta “Ole”: U shfaq raca argjentinase, asgjë e pamundur! Të shtunën ndaj Francës, tregoni karakterin!

“Klarin”: Argjentina pati zemër dhe Mesin, dhe tani përballë Francës!

“La Nasion”: Dramë dhe çlirim! Të vuajtur, por të kualifikuar, seleksioni është në të tetat!

“Pagina 12” bën lojë fjalësh, duke shkruar: Me Marcos Rojo, që është edhe emri i shënuesit të golit të kualifikimit, por edhe përkthehet “me shenjë të kuqe”!

“La Kapital”: Tani po, që fillon Botërori! Seleksioni fiton dhe kryqëzohet me Francën!

Mesi u shpall lojtari i ndeshjes ndaj Nigerisë.

Leo Messi: “Jo, vështirë të kem gëzuar ndonjëherë kaq shumë sa pas golit të Rojo, pasi vuajtëm shumë këto ditë. Ishte e pandershme që ne të ishim jashtë që në grup, pas aq shumë përpjekjeve që bëmë. Në pushim të ndeshjes, i thashë ekipit që të qarkullonim topin, pasi ata do të na sulmonin. Pasi pësuam gol, ishte shumë e vështirë, por ia dolëm”.

Trajneri Sampaoli doli në konferencë në krah të Mesit.

Jorge Sampaoli: “Lojtarët e mi luajtën me zemër një ndeshje shumë të vështirë dhe kjo do të thotë shumë për ne. Kjo na bën më të fortë dhe na rrit shanset për sukses në ndeshjen e ardhshme”.

Futbollisti i Nigerisë, Xhon Obi Mikel, u shpreh për Mesin se “Zoti ishte sërish në anën e tij, dhe ai pati fat përsëri duke u kualifikuar”.

Argjentina ia doli dhe festa ishte e ligjshme, por Franca do të jetë një pengesë tepër, tepër e vështirë./abcnews.al