TIRANË- Kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i saj. Këtë vendim e konfirmoi vetë Alibeaj, përmes një deklarate për mediat. Krahas drejtimit të Partisë, Alibeaj u shpreh se ka dhënë dorëheqjen edhe nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
“Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar.
Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en”, tha Alibeaj.
Mes tjerash, Alibeaj theksoi se PD-ja duhet riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e ka theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Ai tha se partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-ën.
Deklarata e Alibeajt:
Prej më shumë se një vit kam qenë drejtues i Partisë Demokratike. Në kohën më të vështirë të saj.
Kur është vënë në pikëpyetje mbijetesa e partisë që solli pluralizmin në Shqipëri. Mbijetesa e partisë së të djathtëve shqiptarë. Mbijetesa e partisë perëndimore dhe euroatlantike.
Shifrat e proporcionalit tregojnë që Partia Demokratike arriti ta kalojë këtë sfidë, arriti të mbijetojë dhe tani mund të shohë drejt së ardhmes.
Zgjedhjet e 14 Majit sollën monizëm pushteti – Rama i mbajti thuajse të gjitha bashkitë që katër vjet më parë i kishte marrë pa kundërshtarë.
Para një viti, kur e prita në zyrë Sali Berishën, i thashë se më të në krye, demokratët nuk kanë asnjë shans të vijnë në pushtet. Prandaj nuk mund ta ndiqja. Prandaj nuk e ndoqa dhe zgjodha rrugën e qëndresës.
Me këtë rast dua t’u shpreh konsideratën dhe mirënjohjen time të gjithë atyre demokratëve që e vendosën fatin e partisë, të familjes sonë politike, para llogarive dhe pazareve të ngushta e mediokre. Në kohë të vështira duhen njerëz me karakter të fortë. Këtë ju e keni dëshmuar.
Zgjedhjet e 14 Majit, padyshim, patën probleme serioze: presione mbi administratën, përdorim të fortësh, përdorim oligarkësh, sistem elektronik difektoz etj. Por, para së gjithash, ne duhet të shohim nga vetja.
Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së Partisë Demokratike në rezultatin e zgjedhjeve. Ne duhet të vlerësojmë si duhet punën e bërë në terren nga strukturat e partisë, impenjimin e gjithësecilit, kontributin e gjithësecilit, për të kuptuar çfarë shkoi keq dhe çfarë shkoi si duhet.
Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar.
Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en.
Ne do të duhet të kuptojmë se si t’u flasim jo vetëm demokratëve, por edhe atyre qytetarëve të zhgënjyer nga politika e 30 viteve, të cilët përbëjnë shumicën e heshtur në vend.
Këtë, megjithatë, nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm – qoftë ky edhe drejtuesi.
Unë po largohem për t’i hapur rrugën një drejtimi kolegjial të partisë, në këtë fazë që hedh themelet për të ardhmen.
Ka qenë një vendim i Kryesisë që vendosi që pozicionin drejtues, ta mbaja deri pas zgjedhjeve vendore. Tashmë që zgjedhjet përfunduan, po largohem nga drejtimi dhe do të vazhdoj të ushtroj detyrën time dhe përgjegjësinë ndaj demokratëve, si nënkryetar dhe pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike.
Këtë vit që e kam drejtuar partinë kemi patur disa arritje për të cilat jam krenar. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të zhbëhet. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të shkojë drejt Lindjes. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të shkojë në rrugën qorre të antiamerikanizmit.
Gjithashtu, ne kemi mësuar të flasim lirisht. Ne kemi mësuar të themi të vërtetën. Ne kemi kuptuar që PD duhet të jetë e djathtë, duhet të jetë demokratike, duhet të jetë euroatlantike.
Sepse e tillë lindi dhe ky është misioni ynë.
Kam njoftuar mbledhjen e Kryesisë të premten në orën 12.00 Ju pershendes!/n.m.abcnews.al