Enigmë vënia e tritolit, sekuestrohen kamera në Lushnje, flet nipi, oficerët shkojnë të marrin në pyetje Gjinin

schedule19:51 - 17 Shtator, 2020

schedule 19:51 - 17 Shtator, 2020

Nga Xhensila Kodra

Policia e Tiranës nuk ka mundur ende të zbulojë vendin dhe kohën se kur autorët kanë vendosur tritolin në makinën “Mercedes Benz a Class”, që shpërtheu të mërkurën në mbrëmje pranë urës së Selitës në kryeqytet.

Për të rënë në gjurmët e autorëve, grupi hetimor ka sekuestruar dhe këqyrur dhjetëra kamera sigurie në disa zona të Tiranës dhe të Lushnjës. Kjo pasi, nipi i Preng Gjinit, ka deklaruar itinerarin që kishte ndjekur i vetëm në Lushnjë, ku kishte shkuar për të lënë disa libra për shkak të punës që ai bën si menaxher në një kompani.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura pranë vendit ku mjeti ka qenë i parkuar. Pas këqyrjes policia nuk ka mundur të zbulojë fakte që mund të ndihmonin në identifikimin e autorëve. Nipi i Preng Gjinit, ka shpjeguar se ishte takuar me këtë të fundit, vetëm 10 minuta para se të ndodhte shpërthimi.

Mjetin e tij tip fuoristradë, Gjini e kishte parkuar pranë një universiteti privat në zonën e “Vasil Shantos” dhe më pas kishte marrë “Benz”-in. 51-vjeçari Preng Gjini vijon të jetë i shtruar në spitalin e traumës dhe sipas bluzave të bardha, gjendja e tij është e qëndrueshme.

Pasditen e së mërkurës, oficerë të policisë kanë tentuar ta marrin atë në pyetje, por nuk kanë mundur. Policia ka dyshime se atentati i Gjinit të ketë ndodhur për shkak të hakmarrjes lidhur me konfliktin mes dy fiseve Gjini e Reçi në Rrëshen që në 4 vitet e fundit ka pasur me një sërë atentatesh. db/Abcnews.al