Enida Bozheku në “Provokacija”: Reforma në Drejtësi është bërë “pis”, nuk mbyllet pa 10 vite

schedule22:48 - 12 Qershor, 2020

schedule 22:48 - 12 Qershor, 2020

Për të folur për zhvillimet dhe ecurinë e Reformës në Drejtësi e ftuar në studion e “Provokacija” mbrëmjen e kësaj të premteje ishte Enida Bozheku, avokate.

Duke folur rreth largimit të Ardian Dvoranit, avokatja u shpreh se kjo duhej që të kishte ndodhur shumë kohë më parë, pasi Dvoranit i kishte mbaruar prej kohësh mandati.

Bozheku u shpreh: “Mendoj që po por. Në qoftë se do ta merrnim në atë që duhej të ishte aplikimi i saktë i ligjit që në kohë të kohës, duhet të kishte ikur prej shumë kohësh. Sepse, me një mandat gjashtë vjeçar të përfunduar në krye të një detyre shumë të rëndësishme siç ishte Gjykata e Lartë, nuk mund të rrinte. Por, arsyeja ishte se procesi i Vettingut eliminoi shumë nga anëtarët e tjerë dhe ngelën vetëm dy që ishin më zotritë, po ta quajmë kështu.”

Ndërsa, sa i përket Reformës në Drejtësi, avokatja thotë se për disa gjëra është e zhgënjyer nga kjo reformë. Po ashtu, Bozheku thekson se kjo reformë duhej të ishte bërë shumë kohë më parë.

Bozheku: “Reforma në Drejtësi duhej bërë. Kam qene dakord që të bëhej, dhe po të shohim, rezultatet për disa gjëra janë të dukshme. Te shkarkimet në masë që po bëhen duket. Duhej bërë shumë vite më parë. Por unë mendoj që politika shqiptarë u tregua jashtëzakonisht inteligjente në mënyrën sesi para se të bënte reformën, vendosi disa kushte. Mënyra sesi u përzgjodhën anëtarët e KPK-së dhe KPA-së, lë për të dëshiruar.”

Ndërsa, sa i përket zbrazëtisë që u krijua në sistem, me Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, avokatja thotë se politika shqiptare u tregua inteligjente, për faktin se ata e dinin se se kandidatët që do të vinin nuk mund t’i plotësonin të gjitha kushtet.

” E dinin që të gjithë ata që do të vinin për kandidatë, me kriteret që u vendosë, pjesa më e madhe nuk do t’i plotësonte. Sepse ishte kjo që po ndodh sot me Vettingun, probleme me figurën, me paaftësinë dhe shumë elemente që kanë qenë të rrënjosura. Dhe, unë mendoj që kjo u bë me qëllim, ” shton ajo më tej.

Po ashtu, avokatja u shpreh se, sipas mendimit të saj, në tërësi niveli profesional i gjyqtarëve është i dobët.

Duke iu rikthyer Reformës në Drejtësi, Bozheku thotë se kjo reformë është bërë “pis” dhe se duhej të ishte mbyllur në parim si proces. Avokatja thotë se do duhet edhe një dhjetë-vjeçar që të mbyllet.

Enida Bozheku u shpreh: “U tha në fillim që brenda tre viteve duhej të mbaronte. Në parim kjo reformë sot duhej të ishte mbyllur. Nuk jemi akoma në gjysmë të rrugës. Edhe një 10-vjeçar do duhet për ta përfunduar reformën, e për ta ringritur gjithë sistemin në këmbë. 9 vite e ka mandatin, pas asaj mbyllet.” /abcnews.al/