Dosja hetimore e vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, ka nxjerrë në pah një detaj të ri që mund të ndryshojë leximin e ngjarjes së ndodhur më 4 qershor në malin e Bodesë, në Korçë.
Sipas dokumenteve hetimore, arma automatike e efektivit të vrarë u gjet pranë trupit të tij me 29 fishekë në krëhër dhe një tjetër në folenë e fishekut, çka sipas ekspertëve tregon se ai nuk ka kryer asnjë qitje gjatë operacionit.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja që t’i përkasin armës së Enea Mekollit, ndërsa në zonë janë sekuestruar dhjetëra gëzhoja të kalibrit 7.62 milimetra, të cilat dyshohet se janë qitur kryesisht nga arma automatike e autorit të dyshuar, Violand Braçellari.
Sipas dosjes, forcat e policisë kishin organizuar një operacion për kapjen e Braçellarit pas një kallëzimi për dhunë dhe kanosje me armë. Në momentin që efektivët po rrethonin stallat ku ai qëndronte, Braçellari dyshohet se ka hapur zjarr ndaj tyre.
Si pasojë mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos punonjësi i policisë Edison Adri. Ky i fundit rezulton të ketë përdorur armën e shërbimit, nga e cila sipas hetimeve janë kryer të paktën gjashtë qitje.
Të dhënat paraprake sugjerojnë se shkëmbimi i zjarrit mes autorit të dyshuar dhe forcave të policisë ka vijuar pas momentit kur Enea Mekolli ishte goditur për vdekje. Hetimet dhe ekspertizat balistike pritet të përcaktojnë me saktësi dinamikën e plotë të ngjarjes.


