Mustafa Nano monologun për sonte në “Provokacija” ia ka kushtuar ëndrrave të tij dhe çfarë ai dëshiron për Shqipërinë. Ai e ke nisur monologun duke iu referuar “I have a dream …”, letrës së famshme të Martin Ltrther King.
“I have a dream. Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë:
Kur gazetarët e intelektualët të mos ngrenë beteja publike mbi qejfmbetje private.
Kur talk show politik, përfshirë edhe ky i imi po të doni, që politik nuk është, kur talk show politik pra të largohet nga ekrani i televizorit prej orës 19 deri në orën 23. Në këtë interval talk show politik është thjesht offside.
Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur funksionarët publikë të shkojnë nga shtëpia në punë e anasjelltas me autobuzin urban. Ose me biçikletë.
Me që jemi te biçikleta, unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të kuptohet se të kesh një biçikletë do të thotë të kesh stil e klas të lartë, e jo status të ulët. Poshtë makinat, me që ra fjala.
Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur gangove të Shqipërisë, që janë shumë, t’u vihet kufiri te thana, dhe t’u bëhet e qartë se pushteti e ndikimi politik, publik, elektoral apo ku di unë çfarë tjetër që kanë, është gjëja më e padrejtë që ndodh në këtë vend.
Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur nëpër rrugët e Shqipërisë të mos shohim asnjë grua të mbuluar.
Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur dikush nga opozita të thotë: e vlerësoj maxhorancën për vendimin që ka marrë. Dhe kur dikush nga maxhoranca të çohet e të thotë: ju ftoj të gjithëve të miratojmë projektligjin e paraqitur nga opozita. Dhe të mos quhen tradhtarë.
Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të mos ketë më policë nëpër rrugë. Ata të dalin nëpër rrugë kur dikush ka nevojë për ta.
Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit të fillojnë të besojnë se rrufeja bie edhe në halè.
Kur të kuptohet se kush rreh gjoksin si patriot si rregull është një horr.
Kur njerëzve t’u dhembë koka nga muzika tallava.
Kur njerëzit të mos e thonë më shprehjen: ky vend nuk bëhet.
Kur njerëzit të kuptojnë se është ok ta kërkosh suksesin, por fillimisht duhet ditur se më i suksesshmi shumë rrallë është më i zoti”./abcnews.al