Kombëtarja shqiptare e futbollit ka pësuar një humbje 2-1 ndaj Polonisë në ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2026, e zhvilluar në Varshavë, duke ndezur debatet mbi paraqitjen dhe vendimet teknike të skuadrës kuqezi.
Gjatë emisionit “Real Story” në ABC News, moderatori Gert Çarçani u ndal te momentet kyçe të takimit, duke theksuar se vëmendja është përqendruar më shumë te aktivizimi i lojtarëve sesa te gabimet në fushë. Sipas tij, një nga episodet vendimtare ishte gafa në portë që çoi në golin e pësuar në momentin kur Shqipëria ishte në avantazh.
Ndërkohë, gazetari Nertan Prifti analizoi zgjedhjet e trajnerit Sylvinho, duke nënvizuar se tekniku brazilian përballet me kritika sa herë skuadra humbet, ndërsa vlerësohet në fitore. Ai theksoi se trajneri ndjek parimin e aktivizimit të lojtarëve në formën më të mirë, por shpesh akuzohet për mungesë fleksibiliteti në leximin e ndeshjes dhe menaxhimin e alternativave taktike.
Gert Çarçani: Gjithë tymnaja e madhe ishte pse nuk hyri Muçi në lojë, ndërkohë që ne harrojmë se golin e hëngri Strakosha. Ishte një gafë sepse ishim 0-1.
Nertan Prifti: Sylvinho kritikohet për zgjedhjet e tij, kur fiton merr meritat dhe kur humbet merr pasojat. Sylvinho merret me parimin që luan në atyre që janë në formën më të mirë, me lojë, gola dhe minutazh. Sylvinho nuk aktivizoi lojtarët më në formë lojë. Trajneri akuzohet se nuk lexon ndeshjen siç duhet, sepse një trajner ka një plan A, B dhe C. Trajneri bëri ndryshimin, futi dy lojtarë dhe mbrojti krahët dhe ndryshoi skenën.
Gert Çarçani: Sylvinho e deshi fitoren.


