Ëndrra e Putinit: A është gati shpërbërjes koalicioni pro-ukrainas i Perëndimit?

schedule09:47 - 29 Tetor, 2022

schedule 09:47 - 29 Tetor, 2022

Nga Alex Hurt, World Crunch

Në përplasjen globale ideologjike që po luhet në luftën në Ukrainë, ka ardhur momenti ku ndarjet midis demokracive dhe autokracive mund të përfundojnë duke minuar vetë kauzën demokratike.

Siç shkruan Lucie Robequain për Les Echos, ëndrra e Vladimir Putinit po arrin kulmin ndërsa Franca dhe Gjermania, bashkëdrejtuesit tradicionalë të politikës europiane, janë gjithnjë e më të ndarë në një mori çështjesh kyçe nga energjia, politika industriale dhe prodhimi i armëve.

E mbështetur nga Perëndimi, Ukraina ka arritur t’i rezistojë pushtimit rus për tetë muaj.

Por koalicioni perëndimor rrezikon të shpërbëhet pasi ndarjet brenda vendeve europiane përkojnë me kostot ekonomike në rritje të mbështetjes së Ukrainës dhe mbështetjen e pasigurt në Shtetet e Bashkuara nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët duket se janë gati të marrin shumicën pas zgjedhjeve afatmesme të javës së ardhshme.

Pse situata mes Francës dhe Gjermanisë është kaq e tensionuar?

Franca është e zemëruar që Gjermania, pa i njoftuar paraprakisht anëtarët e saj të BE-së, ka miratuar një paketë prej 200 miliardë eurosh për industrinë e saj, e cila kërcënon të destabilizojë konkurrencën në tregun e vetëm, raporton abcnews.al.

Berlini ka zgjedhur gjithashtu furnizuesit amerikanë dhe izraelitë për mbrojtjen në vend të një alternative të zhvilluar dhe prodhuar nga Europa që do të përfshinte sistemin franko-italian SAMP/T.

Ekziston gjithashtu tension për vendimin e Gjermanisë për heqjen e energjisë bërthamore në vend që t’i drejtohet Francës për reaktorë të rinj të gjeneratës së ardhshme.

Nga ana e saj, Gjermania, e cila e ndërtoi ekonominë e saj me gazin e lirë rus, destinacioni kryesor i eksportit të së cilës ishte Kina, po sheh një model ekonomik që po shembet nga të dy anët në një botë të dyzuar.

Në këtë kontekst, Berlini është veçanërisht i frustruar me refuzimin e Francës për të lejuar ndërtimin e një tubacioni të ri të gazit natyror që do të lidhë Gjermaninë me Spanjën.

Franca është akuzuar gjithashtu për promovimin e nismave të “mbrojtjes europiane” që në realitet favorizon industrinë e saj.

Europa është më e ndarë se kurrë

Një drekë të mërkurën midis presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz ishte e mbushur me buzëqeshje përpara kamerave, por nuk u shënua asnjë përparim thelbësor në asnjë nga pikat e mosmarrëveshjeve.

“Këto argumente mund të duken lojë e drejtë në kohë paqeje,” shkruan Robequain. “Por përballë konfliktit që kemi me Rusinë, ne nuk duhet të zgjedhim armikun e gabuar”.

Këtyre përçarjeve të mundshme  u shtohet edhe pasiguria në Itali, ku ish-kryeministri Silvio Berlusconi tha se kishte shkëmbyer dhurata me Putinin dhe sugjeroi se Ukraina ishte fajtore për pushtimin.

Këto detaje e detyruan kryeministren e re italiane Giorgia Meloni, partia e të cilit mbështetet te Berlusconi për shumicën e saj në parlament, të rregullojë dëmet.

Potenciali për një ndryshim në politikën amerikane

Ndërkohë, përçarjet mes aleatëve janë konstatuar edhe në frontin transatlantik: nga SHBA, mbi shpenzimet europiane të mbrojtjes dhe nivelet e ndihmës financiare për Ukrainën; nga Europa, për shkak të mungesës së konsideratës së SHBA-së për goditjen e madhe ekonomike në vendet kontinentale për shkak të kostove të energjisë—përfshirë importet e gazit natyror të lëngshëm nga SHBA, çmimet e të cilit u rritën jashtëzakonisht gjatë verës dhe fillimit të vjeshtës.

Përballë interesave ndonjëherë divergjente brenda Perëndimit, gatishmëria e administratës së Bidenit për të shërbyer si financues dhe furnizues i nevojave të Ukrainës ka qenë çelësi për ruajtjen e unitetit, raporton abcnews.al.

Megjithatë, mbështetja e hekurt nga SHBA-ja tani është befas po zbehet. Udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, ka paralajmëruar se republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk do të nënshkruajnë “një çek të bardhë” nëse marrin kontrollin e Kongresit.

Një ndryshim i tillë në gatishmërinë e Uashingtonit për të mbështetur Ukrainën mund të rrezikojë t’i kthejë përçarjet në një krizë të plotë në koalicionin perëndimor.

Nëse SHBA-ja tërhiqet, a do të mbushnin boshllëkun Franca, Gjermania dhe BE-ja? Apo do t’u krijonte mundësinë skeptikëve që të bënin presion për t’u tërhequr?

Një gjë duhet të kemi të sigurt se Putini do të monitorojë situatën dhe do të thurë skenarët e tij.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!