Esat Mala është ai që te Partizani e përdorin si “çelës anglez”. E kemi parë në krah të sulmit, në qendër të mesfushës dhe tani po bën mbrojtësin e djathtë. Djaloshi nga Prizreni ka mbushur 21 vjeç dy ditë më parë dhe në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport” flet për pozicionin e tij dhe shumë tema të tjera, deri te dëshira për të veshur fanellën e kombëtares së madhe.
“Kur je lojtar krahu, je i ambientuar. Gjithsesi të luash mbrojtës është më e vështirë, pasi nuk përmbahesh dhe del përpara. Unë luaj më mirë në sulm, por do të përshtatem aty ku do trajneri”, shprehet Mala, i cili më pas flet për fitoren e arritur ndaj Vllaznisë në transfertë.
“Bëmë një ndeshje të luftuar. E nisëm mirë, por pas golit ramë në gjumë dhe na barazuan. U munduam më vonë të bënim lojë, të krijonim volum”, shton Mala, i cili thekson se kur golat shënohen në fund të ndeshjes të shijojnë më shumë. “Sa të kënaqin golat në minutat e fundit, s’të kënaqin golat e tjerë. Jam i kënaqur, pasi loja ka ardhur në ngritje dhe jemi në rrugë të mbarë. Loja ka ardhur në ngritje, siç e thashë, pasi kemi kuptuar çfarë do trajneri dhe po kuptojmë skemat e tij”.
Mala flet edhe në lidhje me rivalë për titull dhe përfshin edhe Bylisin: “Mendoj se javët e para, skuadrat kanë treguar të gjitha janë aty-aty. Tirana, Kukësi, Teuta dhe Bylisi kanë treguar se janë mirë deri tani”. Vjet Partizani luante në sulmin me treshen Bardhi-Asani-Mala, të pagëzuar edhe me emrin “BAM”.
“Ishte një treshe e mirë, pasi vraponim shumë. Më mungon, pasi jam mësuar të luaj me atë. Gjithsesi ky është futbolli dhe duhet të përshtatesh”, shprehet lojtari i “demave të kuq”. Mala ngacmohet të bëjë edhe një krahasim mes ekipit të sivjetshëm dhe të atij të sezonit të shkuar. “Nuk mund të gjykoj se cili Partizan është më i mirë. I mbetet publikut të gjykojë se kush është më i mirë”.
Mala normalisht ka edhe ëndrra, si për shembull të luajë në Champions League, sikurse Milani i tij i zemrës. Sigurisht që pret të luajë edhe me kombëtaren. “Ëndrra ime është të luaj në një ligë të fortë europiane, si dhe në Champions League. E kam ëndërr që të luaj dhe të vesh fanellën e Kombëtares A, si çdo lojtar tjetër i Shpresave”, përfundon Mala. /abcnews.al