Endri Çekiçi: Kampionati turk më ka rritur, dua të bind edhe Rejën

schedule14:59 - 28 Maj, 2021

schedule 14:59 - 28 Maj, 2021

Endri Çekiçi, mesfushori i Ankarugucu, është në listën e kombëtares për ndeshjet miqësore me Uellsin dhe Çekinë. Pogradecari foli sot para mediave: “Padyshim që më ka ndihmuar ky sezon i parë në kampionatin turk, pasi është më i fortë nga të tjerët që kam luajtur më parë. Besoj se akoma më shumë më ka ndihmuar të rritem në aspektin personal”.

“Pozicioni? Gjatë gjithë sezonit kam luajtur mesfushor qendre. Në treshen e mesfushës e gjej veten mjaft mirë edhe te kombëtarja. Synimi im është që të bind trajnerin Reja. Kur të më jepet mundësia do bëj maksimumin t’ia arrij. Edhe kur kam folur me trajnerin, ma ka shpjeguar ku do që unë të luaj. shpresoj ta ndihmoj ekipin në fushën e lojës”.

“Notë për Shqipërinë? Ishin ndeshje me dy fytyra, por i kemi marrë 6 pikët. Notën duhet ta japim pas dy ndeshjeve me kundërshtarët direkt”.

“Edhe te Uellsi e Çekia vijnë nga një sezon i gjatë. Janë në një nivel me Hungarinë dhe Poloninë dhe ne duhet të mendojmë të rritemi dhe të jemi gati për ato dy ndeshje. Ne nuk nënvlerësojmë asnjë rival, as San Marinon dhe Andorrën. Do japim maksimumin në ato duele”.

“I kam shfrytëzuar mirë goditjet e dënimit me klube dhe shpresoj që ta bëj të njëjtën gjë edhe në kombëtare. E ardhmja? Ndihem mirë në Turqi, është kohë merkatoje dhe nuk e dihet futbollit”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!