Ende mister vdekja e familjes së pasur ruse, Kreu i Hetuesve të Rusisë kërkon informacion, flet mikesha e tyre

schedule12:12 - 19 Tetor, 2021

schedule 12:12 - 19 Tetor, 2021

KAVAJË- Vijon të jetë mister shkaku i vdekjes së 4 familjarëve nga Rusia, në një hotel luksoz në Qerret të Kavajës.  Sergey Burenkov, 60 vjeç, dhe bashkëshortja Natalya Burenkova, 58 vjeç, ishin me pushime në Shqipëri, së bashku me vajzën e tyre Ekaterina, 31 vjeç, dhe partnerin e saj Nikita Belousov, kur u gjetën të vdekur në një ambient relaksi pranë një pishine të një hoteli në plazhin e Qerretit në Kavajë.

Ndërkohë në mediat ruse kanë dalë detaje të reja lidhur me jetën e mëparshme që kishin familja Burenkova. Ekaterina vajza e familjes punonte si menaxhere pronash në një agjenci imobiliare, kurse i fejuari i saj Nikita Belousov punonte në administratë publike.

Sipas asaj që raportohet në mediat ruse, familja ishte e pasur, ndërsa tashmë i gjallë ka mbetur vetëm djali i tyre Aleksandri, i cili është përfaqësues i një kompanie medicinale.

Ndërkohë, raportohet se Kreu i Komitetit Hetues të Rusisë (TFR), Alexander Bastrykin, është duke pritur për informacion të detajuar në lidhje me vdekjen e katër turistëve rusë, njoftoi të hënën faqja e internetit e agjencisë.

“Kryetari i Komitetit Hetues udhëzoi Drejtorinë kryesore të Hetimit dhe Drejtorinë për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të IC të RF, me ndihmën e Ministrisë së Jashtme të RF, për të marrë informacion nga autoritetet kompetente të Republikës së Shqipërisë dhe raportuar për të gjitha rrethanat e vdekjes tragjike të qytetarëve rusë, ” thuhet në mediat ruse.

Një nga viktimat ishte i shtrirë në një shezlong, dy ishin në një stol dhe i katërti ishte buzë pishinës me këmbët brenda saj. Një kolege e Sergey, Anastasia, ka folur për gazetën ruse.

“Sergey ishte një njeri shumë i mirë, nuk i kishte bërë keq askujt. Punonim së bashku. Ajo që ndodhi është shokuese. Ata vdiqën menjëherë, as nuk lëvizën. Të gjithë ishin në vendet e tyre. Jam e sigurt që ata nuk mund të mbyteshin apo të helmoheshin njëkohësisht. Dikush do të lëvizte apo duhej të rrëzohej, por ata qëndronin ulur në vendet e tyre. Nuk ka asnjë gjurmë. Ndoshta rezultatet e vërteta të autopsisë nuk do dalin kurrë në media. Ata nuk patën as kohë për të pirë apo ngrënë gjë. Dhe ata që shkruajnë gjëra pa kuptim, do të doja që të mos ndjenin dhimbjen që kemi ne,” tha ajo.

Këta që shikoni në foto janë turistët rusë që humbën jetën në ambientet e hotelit Gloria Palace në Kavajë.

Ata ishin të fiksuar pas udhëtimeve. Por udhëtimi në Shqipëri u kthye në një tragjedi për ta pasi gjetën vdekjen në mënyrë të mistershme.  Prokuroria e Kavajës ka regjistruar hetimet për veprën penale të vrasjes, por pa emër konkret. Burime nga  prokuroria  sqaruan për ABC se deri më tani  nuk ka ndonjë person të dyshuar, ndërsa  për shkak të veprës së regjistruar do të lejojë hetuesit të zhvillojnë  veprime  më të thelluara hetimore.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes, ku katër shtetasit rusë u  gjetën të pa jetë pranë pishinës së brendshme  të hotelit  “Gloria”, në Qerret. Një nga pistat kryesore është ajo e asfiksisë si pasojë e çlirimit në atmosferë të klorit që është përdorur  për pastrimin e pishinës ditën kur ndodhi ngjarja e rëndë.

Hetuesit kanë dyshime se nuk mund të ketë funksionuar sistemi i ventilimit të pishinës, çka ka sjellë edhe mbingarkesën e ajrit duke shkaktuar asfiksinë e turistëve. Po kështu po verifikohet nëse mund të ketë pasur rrjedhje gazi në ambientin ku ata qëndronin.

Do të jetë përgjigja e analizave të kampionëve të ujit për të  parë nivelin e klorit si dhe  përgjigja e autopsisë që do të përcaktojë shkakun e vdekjes. Ndërkohë paraditen e së hënës, përfaqësues të ambasadës ruse, kanë shkuar në ambientet e institutit të ,mjekësisë ligjore, për të marrë të dhëna mbi vdekjen e mistershme të çiftit të bashkëshortëve, Sergei e Natali Burenkova, vajzës së tyre Eketarina dhe dhëndrit Nikita Belousov. E.L /abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!