Mbetet mister fati i 26 vjeçarit Mateo Lika i cili një ditë më parë ka humbur kontaktet me familjarët, ndërsa është e paqartë nëse automjeti është në ujërat e lumit Seman apo pas përplasjes me parmakët e urës së Mbrostarit është larguar që aty. Të dyja pistat po hetohen nga policia.
Ndërkohë, kontrollet do të vazhdojnë sot përveçse në lumin Seman edhe në zonat përrreth. Të dielën për më shumë se 4 orë polumbarët e forcave Renea kërkuan në ujërat e lumit, por nuk arritën të gjenin automjetin apo shenja të mjaftueshme për të çuar në prova konkrete se makina ka rënë në ujë.
Për të mundësuar kërkime më të plota u kërkua mbyllja e portave të Gramshit, që sjellin edhe uljen e prurjeve në lumin Seman. Telefoni i 26 vjeçarit që prej ditës së djeshme është i fikur. Makina nuk ka qenë e pajisur me GPS ndërsa nga kamerat e sigurisë të bizneseve në zonë nuk arrihet të identifikohet qartë lëvizja e tij.
Deri tani nuk është bërë asnjë denoncim tjetër, çka bën të mendohet se 26 vjeçari udhëtonte i vetëm. Në pyetje janë marrë të njohur të 26 vjeçarit për të mësuar lëvizjet përpara se të zhdukej./abcnews.al


