“En Marche”: Do pengojmë hapjen e negociatave me Shqipërinë

schedule12:09 - 23 Maj, 2019

schedule 12:09 - 23 Maj, 2019

Në një intervistë për radion franceze, Natali Loiso, kryesuesja e listës së “En Marche” për zgjedhjet parlamentare europiane u shpreh qartë se partia e saj nuk do të lejojë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Partia e presidentit francez Emmannuel Macron, “En Marche”, kundërshton hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin europian me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për radion franceze RTL, kryesuesja e listës për zgjedhjet parlamentare europiane si dhe ish ministrja franceze për çështjet europiane, u shpreh e prerë. Natali Loiso theksoi: “Këtë qershor do të jetë një jo e prerë”. Ajo është shprehur se hapja e negociatave është një veprim i pamundur të paktën në qershor të këtij viti njësoj si verën e kaluar.

Natali Loiso shtoi se si bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë në vitin 2018 njësoj do të veprojë dhe tani.

“Ajo që bllokoi zgjerimin e Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë, isha unë si ministre. Vendimet brenda BE merren në unanimitet. Franca luftoi për tetë orë në atë mbledhje për të bindur partnerët që të thonin jo. Këtë e bëri vetë edhe presidenti Makron. Ju mendoni se ai ka ndryshuar mendim për një vit?” -replikoi ajo me kundërshtarët politikë të cilët pretendonin se Makron do të hapë negociatat me Shqipërinë.

“Ne do të jemi kundër, do të vazhdojmë të jemi kundër, ata janë gjeografikisht në Evropë, ne duhet t’i ndihmojmë ata, por zgjerimi tani nuk është i mundur”– tha ajo. Deklarata e saj u mbështet dhe nga opozita.

“Mendoj se është një gabim i madh. Është një shtet i mbytur nga korrupsioni. Nëse bisedimet me Shqipërinë do të hapen në qershor, në do të kundërshtojmë dhe do vendosim veton ndaj Shqipërisë”, shprehej para disa ditësh Lorent Uaukuiez, kryetar i Partisë Republikane. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!