Një efektiv policie ka humbur jetën pas një ngjarje aksidentale që ka ndodhur 9 km larg Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Mlizë në Njësinë Administrative Shushicë gjatë të Premtes.
Burime jo zyrtare bënë me dije se 62-vjeçari Edmond Brahimaj, efektiv i policisë rrugore ka mbetur i dëmtuar rëndë ndërsa po i jepte ndihmë një personi për të ndërruar gomën e dëmtuar të një autoboti uji në fshatin Mlizë.
Fatkeqësisht gjatë manovrimit të heqjes së krikut depozita i ka rënë mbi trupin e 62-vjeçarit duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Pavarësisht transportit me urgjencë në Spitalin Rajonal të Elbasanit dhe trajtimit mjekësor, 62-vjeçari për shkak të dëmtimeve të rënda ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme.
Gazetarja Edisona Skënderi në një raportim për ABC News dha më shumë detaje në lidhje me ngjarjen. “Shoferi i mjetit po ndërronte gomën dhe efekti ndaloi për ta ndihmuar, fatkeqësisht depozita e ujit ra mbi trupin e 62-vkecarot duke u dëmtuar shumë rëndë. Menjëherë u transportua në spitalin e Elbasanit, por më pas u transferua në spitalin e Traumës në Tiranë. Fatkeqësisht 62-vjeçari nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra. Gjatë paradites i është dhënë lamtumira e fundit policit dhe është përcjellë në banesën e fundit.”, u shpreh ajo.
“Ditën e djeshme, në fshatin Mlizë, shtetasi 62 vjeç, (punonjës policie jashtë orarit të shërbimit), i ka dhënë ndihmë një shtetasi, banor i zonës, për të ndërruar gomën e një rimorkioje të ngarkuar me një depozitë metalike uji.
Në momentin që ka hequr krikun, aksidentalisht depozita e ujit është rrëzuar dhe për pasojë ka dëmtuar rëndë 62-vjeçarin, i cili ka humbur jetën në spital.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejsh“, thuhet në njoftimin e policisë.
/abcnews.al