Një 57-vjeçar u gjet i vrarë në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në oborrin e banesës së tij në fshatin Tale të Lezhës. Viktima, i identifikuar si Pjetër Kaza, është zbuluar pa shenja jete rreth orës 05:00 nga bashkëshortja.
Pjetër Kaza punonte në minierën e Spaçit dhe sipas të dhënave, është kthyer në banesë rreth orës 01:00 pas mesnate. Dyshohet se në këtë moment që është kthyer nga puna, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri me silenciator ndërsa ishte në automjet përpara banesës, pasi nuk është dëgjuar asnjë zhurmë gjatë natës.
57-vjeçari ka marrë plumba në kokë dhe kraharor, çka i kanë sjellë vdekjen e menjëhershme. Ndërsa nga të shtënat, automjeti nuk ka marrë asnjë dëmtim.
Viktima nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal. Sipas grupit hetimor, vrasja e 57-vjeçarit, dyshohet të lidhet me një zinxhir të gjatë hakmarrjesh, që zanafillën e ka në vitin 1994, me vrasjen e Ndue Kazës, shef i krimeve në qytetin e Rrëshenit.
Ndue Kaza u vra më 7 janar të vitit 1994 në mes të qytetit të Rrëshenit. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje ishin vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, të cilët u arratisën pas krimit.
Tre vite më pas, në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i viktimës, ekzekutoi për hakmarrje vëllezërit Gjini në qytetin e Laçit. Krim për të cilin u dënua me 22 vite burg.
Por, konflikti nuk u mbyll me kaq. Më 28 prill 2024, në Belgjikë, u vra një tjetër anëtar i familjes Kaza, Agustin Kaza, vëllai i Pjetrit. Ai u qëllua për vdekje në një lokal shqiptarësh në Bruksel, ku autorët e goditën disa herë në kokë dhe kraharor.
Pjetër Kaza është viktima e tretë në familjen Kaza, që nga zanafilla e konfliktit, që vijon prej më shumë se tri dekadash.
Hetimet e prokurorisë janë përqendruar në pistën e gjakmarrjes, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/abcnews.al