Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, informuan presidentin Gjorge Ivanov për marrëveshjen e arritur me Greqinë për kontestin për emrin.
Kabineti i kreut të shtetit me anë të një komunikate saktëson se takimi zgjati vetëm 2 minuta. Në kaq pak kohë, palët treguan arsyet dhe qëndrimin lidhur me propozimin e emrit të ri. Ndërkohë, presidenti Ivanov paralajmëroi konferencë pët media lidhur me këtë çështje.
“Ju informojmë se takimi ka zgjatur vetëm dy minuta. Gjatë ditës së sotme presidenti Ivanov do të mbajë konferencë para popullit të Maqedonisë”, shkruhet në njoftimin e presidencës.
Ndërsa në një deklaratë, qeveria e Shkupit thekson se tentuan t’ia prezantonin presidentit marrëveshjen, por ai është larguar pasi u përshëndet me Zaev dhe Dimitrov.
Në këtë situatë qeveria e Shkupit i bën thirrje të gjithë faktorëve politikë që të bashkohen rreth interesave kombëtare dhe të ndihmojnë në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE dhe NATO./abcnews.al