Policia e Korçës ka reaguar në lidhje me të shtënat me armë të regjistruara në lagjen nr.16 të qytetit. Mësohet se personi që ka qëlluar me armë nga ballkoni i banesës së tij, është 71-vjeçari Edmond Naska.
Sipas policisë së Korçës, 71-vjeçari është një person me probleme mendore. Shërbimet e policisë kanë krijuar perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar banorët e zonës.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka asnjë person të lënduar. Në drejtim të vendit të ngjarjes po shkojnë shërbimet e Repartit Special RENEA, për të ndërhyrë për neutralizimin e 71-vjeçarit, i cili ka mbyllur derën e banesës.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, me masa sigurie për jetën e tyre, po mbajnë të rrethuar banesën. Aktualisht nuk ka asnjë rrezik për jetën e banorëve./abcnews.al