Ish-kreu i Dhomës se Avokatëve në Korçë, Arben Lena, i cili prej një viti vijon të jete në masë arresti në burg për veprën penale të korrupsionit, këtë të mërkurë iu komunikua edhe një akuzë e re, ajo e mashtrimit nëpërmjet dhënies së besimit.
Policia e Korçës thotë se ka qenë një 70 vjeçar, i cili aktualisht vuan dënimin në burgun e Shën Kollit, e akuzon avokat Arben Lenen se e ka mashtruar dhe nga llogaria e tij bankare në një bankë të nivelit të dytë i ka tërhequr një shumë të konsiderueshme parash.
Sipas denoncimit të 70-vjecarit Niko Bezhgolli, në vitin 2020, kohë që përkon me arrestimin e tij, kishte pajtuar avokat Lenen si përfaqësues i mbrojtjes.
Meqë ai ishte i izoluar në burg, e kishte pajisur dhe me një prokurë të posaçme për ta përfaqësuar atë dhe për të tërhequr nga banka paratë që i takonin për mbrojtjen.
Por avokati ia kishte boshatisur llogarinë, duke tërhequr të gjitha paratë, rreth 30 milionë lekë të vjetra.
Këtë e ka vënë re vetëm disa ditë më parë. Pasi ka mësuar se gjatë periudhës 2-vjeçare, nga viti 2020 deri në vitin 2022, Lena ia kishte zbrazur llogarinë, bëri dhe padinë për mashtrim të kryer nëpërmjet besimit.
Burime nga organi akuzës konfirmojnë se Arben Lenes i kanë komunikuar edhe akuzën tjetër për mashtrim në dhomat e paraburgimit, ku prej një viti ndodhet në masën e “arrestit me burg”, për korrupsion, duke qenë në pritje të vendimit të formës se prerë./abcnews.al


