Sipas mediave greke, ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov dhe ai grek, Nikos Kotzias ,mund të takohen përsëri javën e ardhshme, më 12 Prill në Shkup. Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë ka konfirmuar takimin por jo datën e saktë. Mediat greke komentojnë se java e ardhshme do të jetë shumë vendimtare për negociatat.
Java e ardhshme pritet të jetë shumë vendimtare përsa i përket zgjidhjes së cështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Mediat greke raportojnë se takimi i radhës në nivel ministrash të jashtëm do të mbahet në 12 prill. Nga ana e tij kryeministri maqedonas Zoran Zaev është shprehur optimist dhe pozitiv për sa i përket zgjidhjes së çështjes së emrit. Ndryshe nga Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, i cili kurseu entuziazmin pas raundit të fundit të bisedimeve në Vjenë, Zaev beson se progresi i arritur tani mund të finalizohet me zgjidhje përfundimtare.
Pavarësisht se ishte paralajmëruar takim mes liderëve politikë në Maqedoni, ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov i ka infomuar ata për rrjedhën e bisedimeve me Athinën zyrtare, në takime të ndara. Megjithatë nga VMRO-DPMNE-ja në opozitë, është refuzuar çdo lloj takimi lidhur me bisedimet për çështjen që Republika e Greqisë e ka me emrin kushtetues të Maqedonisë.
Edhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka zhvilluar takime të ndara me liderët politikë në Greqi. Ai është takuar sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste, por do të zhvillojë takime edhe me liderët e partive të tjera përveç kreut të partise Demokracia e Re, i cili ka refuzuar takimin. Pas raundit të fundit të bisedimeve në Vjenë me ndërmjetësin Methju Nimic, Dimitrov dhe Kotzias pritet të takohen sërish pas festës së Pashkëve në të cilin siç paralajmëroi kreydipomati grek mund të hidhet “hapi i madh” drejt zgjidhjes./abcnews.al