Katër punonjës policie janë pezulluar nga detyra në Velipojë me argumentin se nuk kanë përmbushur detyrën pasi mbi 10 mijë bimë narkotike kanabis u gjetën të kultivuara në një fshat.
Pasi drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ngriti një grup të posaçëm hetimor, për të përcaktuar përgjegjësit për shkaqet e mosevidentimit të kësaj veprimtarie kriminale, pezulloi:
– Nënkomisar Pal Prendi, shef i Stacionit të Policisë Velipojë, njëkohësisht përgjegjës për monitorimin e zonës
– Nënkomisar Admir Xhaka, specialist për hetimin e krimeve në zonën ku u gjetën bimët narkotike
– Inspektor i parë Arben Tahiraj, ndihmësspecialist (SPZ) në zonën ku u gjetën bimët narkotike
– Nënkomisar Ardian Çuli, specialist i njësisë “Shqiponja”, përgjegjës i zonës për kontrollin e territorit nga DVP Shkodër
Policia e Shkodrës dhe e Velipojës ushtruan kontrolle në zonë pas marrjes së informacioneve, ku u gjetën 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Një pjesë e tyre janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër është asgjësuar nëpërmjet djegies.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë, kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, dhe po punohet për dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale të tyre./abcnews.al